Nuk kanë fluturuar vetëm fjalët, por edhe hartat. Një “përplasje e furishme”, kështu e përshkruan Financial Times bisedën e fundit mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, ku, sipas gazetës britanike, liderit të Kievit i është kërkuar të pranojë kushtet e Putinit: dorëzimin e Donetskut në këmbim të disa zonave të vogla në rajonet jugore të Khersonit dhe Zaporizhzhias — ndryshe, rrezikojnë të “shkatërrohen”.
Sipas FT, gjatë takimit Zelensky i ka hedhur në tokë hartat ushtarake, përpara syve të Trumpit, duke i treguar situatën reale në terren. Atmosfera ka qenë shumë e tensionuar, veçanërisht pasi Trump, pak orë para takimit me aleatin e tij, zhvilloi një telefonatë të gjatë me Putinin dhe njoftoi një samit të ri me “carin” rus në Budapest, duke i dhënë presidentit rus një tjetër skenë ndërkombëtare.
Ky ndryshim i papritur qëndrimi nga Trump — i cili më pak se një muaj më parë në Nju Jork premtonte për Ukrainën raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi dhe deklaronte se “është e mundur që Kievi të rimarrë territoret e pushtuara” — i atribuohet presionit dhe argumenteve të Putinit, të përsëritura edhe ndaj Zelenskyt gjatë bisedës, përfshirë përdorimin e termit “operacion special”, që Moska e përdor për të justifikuar pushtimin.
Zelensky ka tentuar të zbusë pasojat e një takimi që për nga tensioni i është afruar atij të muajit shkurt në Zyrën Ovale, por ka dalë prej tij “shumë i zhgënjyer”.
Edhe liderët evropianë janë pak optimistë, të vetëdijshëm se SHBA nuk dëshiron më të mbajë peshën kryesore të mbrojtjes së Ukrainës. “Nuk mund t’i japim të gjitha armët tona Ukrainës. Thjesht nuk mund ta bëjmë këtë,” ka deklaruar Trump në një intervistë për Fox News. Megjithatë, në kancelaritë e Bashkimit Evropian, po tentohet të ruhet një qasje pragmatike në planifikimin e hapave të ardhshëm.
Edhe Zelensky, në një intervistë për NBC, është shprehur pragmatik, duke thënë se nuk është i gatshëm të heqë dorë nga Donetsku, por se është “i gatshëm” të shkojë në Hungari, pavarësisht se Budapesti është një prej kryeqyteteve më pak miqësore ndaj Ukrainës.
Pasi u kthye nga Washingtoni pa raketat Tomahawk, Zelensky po përpiqet të qëndrojë i vendosur, duke theksuar se “lufta vazhdon vetëm sepse Rusia nuk dëshiron që të përfundojë”. Vetëm në një javë, sipas Kievit, mbi 3.270 dronë sulmues, 1.370 bomba ajrore të drejtuara dhe gati 50 raketa të tipeve të ndryshme kanë goditur Ukrainën.
Përballë kësaj situate, kërkesa e përhershme ndaj aleatëve mbetet: më shumë mbrojtje — veçanërisht ajrore — dhe sanksione të reja kundër Kremlinit. Në Washington shpresohet për një “paqë” të re, ndërsa në Bruksel po punohet për një qëndrim të përbashkët në mbështetje të Kievit, përpara samitit të 23 tetorit dhe takimit në Budapest, për të cilin Moska do të duhet të kërkojë autorizim nga Eurocontrol pak orë para uljes së avionit.
Një dokument i ri i përgatitur nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, synon të godasë “flotën e errët” ruse, rrjetin e anijeve që vazhdojnë të transportojnë naftë duke shmangur sanksionet përmes flamujve të rremë. Kjo flotë, sipas akuzave të Francës, mund të përdoret edhe për të kërcënuar hapësirën ajrore të NATO-s. Dokumenti, që pritet të shqyrtohet nga ministrat e Jashtëm të BE-së të mbledhur në Luksemburg, propozon zgjatjen e kompetencave të inspektimit ndaj vendeve anëtare, duke autorizuar kontrolle parandaluese dhe sanksione, jo vetëm ndaj anijeve, por edhe ndaj kompanive të sigurimeve dhe logjistikës që mbështesin këtë rrjet.
//Corriere Della Sera, Financial Times
Komente










Nje telefonate nga Putin dhe /Bubi kacurel/i Shtepise se Bardhe u shtri me barkun perpjete e gjuhen jashte gati qe t'ja perkedhele Putini.Dje thoshte qe Ukraina mund te fitoje,sot kthehu pllaken pas telefonates me diktatorin e Rusise.Ann Coulter i kishte rene pikes kur tha se Trump eshte si divan qe merr e mban formen e personit te fundit qe ulet mbi te.
Përgjigju