Pozita politike e Presidentit Donald Trump është dobësuar aq shumë, sa republikanët kanë humbur avantazhin e tyre tradicional në dy prej çështjeve që historikisht kanë qenë ndër pikat më të forta të partisë: ekonomia dhe siguria kombëtare.

Një sondazh i Reuters-Ipsos, i publikuar këtë javë, tregon se demokratët dhe republikanët janë praktikisht baras për çështjet që lidhen me “luftën, konfliktet e huaja dhe terrorizmin”. Pas zgjedhjeve të vitit 2024, republikanët kishin një epërsi prej 11 pikësh përqindjeje në këtë fushë. Sot, 37% e të rriturve amerikanë thonë se demokratët kanë një qasje më të mirë, ndërsa 36% favorizojnë republikanët.

Një sondazh i Fox News, i zhvilluar disa javë më parë, jep një tablo të ngjashme. Për sigurinë kombëtare, 50% e votuesve të regjistruar preferojnë republikanët dhe 48% demokratët. Në janar, përpara luftës me Iranin, republikanët kishin një avantazh prej 12 pikësh.

Edhe pse diferencat në të dyja sondazhet janë brenda marzhit të gabimit, vetë fakti që dy partitë janë kaq pranë njëra-tjetrës është tepër i pazakontë.

Sondazhet e Fox News kanë matur prej vitesh perceptimin e votuesve për dy partitë në çështje si terrorizmi dhe siguria kombëtare. Përpara luftës me Iranin, demokratët nuk kishin arritur asnjëherë t’u afroheshin republikanëve me një diferencë më të vogël se 10 pikë në këto fusha.

Edhe sondazhet e Gallup-it kanë treguar vazhdimisht një epërsi republikane në sigurinë kombëtare. Në shekullin XXI, demokratët kanë dalë përpara vetëm një herë, në vitin 2007.

Avantazhi republikan ka qenë edhe më i madh në pyetjet që lidhen me “terrorizmin ndërkombëtar dhe kërcënimet ushtarake”. Në 22 sondazhe të zhvilluara që nga viti pas sulmeve të 11 shtatorit, demokratët kanë kryesuar vetëm një herë — sërish në vitin 2007. Në shumicën e rasteve, republikanët kanë pasur një epërsi dyshifrore.

Edhe ekonomia po kthehet në problem për republikanët

Sondazhi më i fundit i Fox News tregon se demokratët kryesojnë me nëntë pikë për ekonominë, 54% kundrejt 45%. Kjo është epërsia më e madhe e demokratëve në këtë çështje që prej vitit 2006, kur ata kryesonin me 20 pikë.

Kur demokratët dolën përpara në ekonomi në prill, kjo ishte hera e parë që ata kryesonin që prej vitit 2010, pak pas krizës financiare të vitit 2008, e cila nisi gjatë administratës së George W. Bushit.

Një sondazh i CNN-it në maj tregoi një garë më të ngushtë: 35% e të rriturve preferonin demokratët për ekonominë, ndërsa 33% republikanët.

Në versionet e mëparshme të këtij sondazhi, të anketuarve u kërkohej të zgjidhnin mes republikanëve dhe demokratëve në Kongres. Hera e fundit që republikanët nuk kishin epërsi në këtë pyetje ishte në vitin 2009.

Shifrat në të dyja fushat sugjerojnë se Trumpi mund ta ketë nënvlerësuar ndjeshëm koston politike të luftës me Iranin, si edhe ndikimin e politikave të tjera të debatueshme, përfshirë tarifat e tij globale.

Me vendosjen e tarifave, Trumpi mori në një farë mënyre përgjegjësinë politike për ecurinë e mëtejshme të ekonomisë. Më pas, pakënaqësia e publikut u thellua edhe nga mënyra se si ai reagoi ndaj shqetësimeve të amerikanëve për inflacionin, duke mos dhënë përshtypjen se po merrte përgjegjësi për trajtimin e tyre.

Tashmë ai përballet me një ekonomi që vazhdon të tregojë shenja dobësie dhe që humbi 23 mijë vende pune në korrik.

Demokratët, nga ana tjetër, nuk gëzojnë ndonjë popullaritet të madh. Në fakt, edhe Partia Demokratike mbetet mjaft jopopullore në sondazhe. Pikërisht për këtë arsye, fakti që ajo ka arritur të marrë epërsinë në ekonomi është veçanërisht domethënës.

Edhe më të pazakonta janë shifrat për sigurinë kombëtare, një fushë ku demokratët historikisht e kanë pasur shumë të vështirë të konkurrojnë me republikanët.

Ashtu si arsimi dhe kujdesi shëndetësor kanë qenë tradicionalisht fusha më të favorshme për demokratët, siguria kombëtare dhe mbrojtja e vendit kanë qenë prej kohësh ndër çështjet më të forta të republikanëve — shpesh me diferenca të mëdha.

Kjo vazhdoi të ishte e vërtetë edhe gjatë presidencës së George W. Bushit, kur luftërat e nisura në Lindjen e Mesme u bënë gradualisht gjithnjë e më jopopullore.

Megjithatë, mënyra se si Trumpi ka menaxhuar luftën me Iranin duket se ka ndryshuar ndjeshëm perceptimin e publikut. Për herë të rrallë, amerikanët po i shohin demokratët pothuajse në të njëjtin nivel me republikanët edhe në çështje që tradicionalisht kanë qenë territori politik më i favorshëm për Partinë Republikane.