Trupa hungareze “Hodworks”
performon lakuriq

Trupa hungareze “Hodworks”<br />performon lakuriq
TIRANE- Katër valltarë me trupin lakuriq do të performojnë sot në orën 19.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë; të përgatitur nga Adrienn Hod, një nga zërat më të rëndësishëm të koreografisë bashkëkohore të Hungarisë. Produksioni më i ri i performancës koreografike “Agim” (Dawn) i trupës “Hodworks”, që do të shfaqet sot, përqendrohet në trupin lakuriq. Sipas konceptit koreografik të Adrienn Hod, në këtë performancë trupi i zhveshur shpaloset si një peizazh, konturuar nga përshkrimet e muskujve, rrugët e venave, struktura e lëkurës, rrudhat dhe linjat e saj.

Koreografia sistematikisht dhe pa sentimentalizëm, fokusohet në aspektet anatomiko-mekanike të natyrës njerëzore animalistike. E vlerësuar si ‘performanca më e jashtëzakonshme bashkëkohore hungareze’ për vitin 2013, shfaqja e saj në Galerinë Kombëtare të Arteve do të jepet vetëm për një natë. Kjo performancë është edhe pjesë e edicionit të 9-të të Albania Dance Meeting Festival, që organizohet në Shqipëri nga Gjergj Prevazi. Premiera e performancës “Agim”, (Dawn), produksioni më i fundit i trupës ndërkombëtare Hodworks është fituese e Çmimit “Rudolf Lábán”, me motivacionin si “performanca më e jashtëzakonshme bashkëkohore hungareze” për vitin 2013. Adrienn Hód, këtë pjesë të guximshme dhe radikale e përshkruan si një vepër arti “që kërkon një nivel të jashtëzakonshëm vetëdije, force dhe ndjeshmërie nga interpretuesit”.

Dhe këtë pretendim koreografik, kritika pohon se e ka arritur duke krijuar një vallëzim impresionues me artistët Emese Cuhorka, Júlia Garai, Csaba Molnár e Marcio Canabarro. Muzika është e Zoltán Mizsei dhe ndriçimi është realizuar nga Kata Dézsi dhe Co-producent Trafó (Budapest). Trupa hungareze “Hodworks” mbledh krijues të ndjeshëm, proaktivë dhe vizionarë që punojnë sot me metoda krijuese dhe të përqendruara. Ata përqendrohen në trupin e njeriut, të çliruar nga kufijtë, skenat apo butaforitë.

Veprat e kësaj trupe marrin gjithmonë drejtime të reja dhe progresive dhe janë rezultat i hulumtimeve komplekse bazuar tek improvizimi, i cili shfaqet në formë rreptësishtë të strukturuar në skenë. Pjesët e tyre stimulojnë shpirtin dhe shqisat e publikut dhe i ftojnë të gjithë t’i hapen të panjohurës. Trupa Hodworks u themelua nga koreografi hungarez Adrienn Hód në vitin 2007. Përveç anëtarëve të përhershëm, kjo kompani ndërkombëtare me bazë në Budapest punon me artistë të ftuar nga zhanre të ndryshme të artit.

Adrienn Hód është një nga zërat më të rëndësishëm në të rinj të koreografisë bashkëkohore të Hungarisë. Koreografia e Adrienn Hod është një bashkëprodhim me Trafo, Shtëpia e Arteve Bashkëkohore, dhe është mbështetur nga Ministria e Burimeve Njerëzore e Hungarisë, Fondi Kombëtar i Kulturës dhe prej disa prej fondacioneve kulturore, ku falë mbështetjes ka dhënë shumë premiera dhe është bërë e famshme nëpër Europë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje