Duket sikur tabutë po bien njëra pas tjetrës: Në një vizitë shtetërore në Gjermani, presidenti francez, Emmanuel Macron kërkoi që t'i lejohet Ukrainës që me armët perëndimore të godasë objektiva ushtarakë në Rusi. Kancelari gjerman, Olaf Scholz nuk kundërshtoi, deklaroi, se e drejta ndërkombëtare e lejon këtë. Më parë ishin Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg dhe qeveritarë nga Britania e Madhe, Polonia e vendet baltike që kishin folur për këtë. SHBA e Gjermania ishin deri tani kundër dhe e arsyetonin këtë me përshkallëzimin e gjendjes.
Me armë perëndimore kundër përparimit të trupave ruse
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski po kërkon në shumë kryeqytete perëndimore këto ditë që të thyhet kjo tabu. Ukraina është aktualisht shumë e dobësuar ushtarakisht, edhe për shkak se SHBA prej muajsh nuk kanë dërguar më armë. Në verlindje të Ukrainës, afër kufirit rus, Rusia po e bombardon përditë qytetin Kharkiv. Ushtria ruse ka marrë disa territore ndërkohë dhe po i mbledh forcat për një goditje më të fortë, sipas të dhënave ukrainase.
Deri më tani Ukraina kundërpërgjigjet vetëm me armët e veta në territoret e njohura ndërkombëtarisht të Rusisë. Për territoret e pushtuara të Krimesë dhe në Ukrainën lindore kufizimi nuk vlen, këtu Ukraina mund të përdorë armë perëndimore. Jahara Matisek, komandant batalioni në aviacionin ajror amerikan dhe profesor në Kolegjin Luftarak Amerikan Naval, beson se Ukraina nuk mund t'i mbrojë dot qytete si Kharkivi pa kundërsulme me armë perëndimore në afërsi të kufirit rus. Që Rusia mendon, se ka një "liman të sigurtë në territorin e saj" është një strategji e gabuar ushtarake", thotë Matisek.
Instruktorë perëndimorë në Ukrainën perëndimore?
Edhe tabu të tjera po lëkunden. Prezenca e trupave e disa vendeve të NATO-s në Ukrainë duket e mundur. Oleksand Syrskyj, kryekomandant i trupave të armatosura të Ukrainës, sipas të dhënave të veta, ka nënshkruar dokumente për praninë e instruktorëve francezë. Këta mund të vijnë "së shpejti" për të parë qendra trajnimi ukrainase, shkruan gjenerali në mediat sociale. Franca në fillim e zbuti mesazhin, por Macron tani bëri të ditur, se Franca do të paraqesë javën e ardhshme një plan për dërgimin e instruktorëve. Nëse Franca dërgon instruktorë, nuk do të mbetej e vetme me këtë iniciativë. Edhe Polonia nuk do ta përjashtojë këtë, po ashtu edhe shtetet baltike.
"Në një kohë që Rusia përparon, NATO mendon të dërgojë instruktorë në Ukrainë", titullohej një artikull në fillim të majit tek gazeta "New York Times". Kjo do t'i lejtonte qeverisë në Kiev të trajnojë më shpejt ushtarët e rinj të mobilizuar dhe t'i dërgojë në front, shkruheja aty. Kufizimi kryesor: jo veprime luftarake direkte me Rusinë.
Për Jahara Matisek, dërgimi i instruktorëve ushtarakë është lehtësisht i zbatueshëm. "Mund të dërgohen pa problem disa mijëra trupa perëndimore në Lviv si pjesë e një misioni trajnimi", thotë eksperti. BE e ka ndërkohë një mision të tillë trajnimi dhe mund ta zhvendosë atë në Ukrainë. Matisek ka edhe një propozim që shkon akoma më larg, por që nuk shtrohet aspak në diskutimin politik: Vendet perëndimore të dërgojnë trupa përgjatë kufirit ukrainas dhe në brendësi të vendit deri në bregun e lumit Dnjipro. "Mendoj, se kjo do të dërgonte një sinjal të qartë tek Vladimir Putin, që perëndimi nuk do të tolerojë më pushtime të tjera territoriale në Ukrainë", shpjegon Matisek. Sipas tij, "nëse europianët e bëjnë këtë, do të liroheshin deri në 20 brigada ukrainase, që do të mund të zhvendoseshin më afër frontit". Po ka edhe kritika ndaj kësaj ideje në qarqet e ekspertëve ushtarakë.
Zonë e kufizuar e ndalim-fluturimit
Nëse perëndimi do të dërgonte vërtet trupa në Ukrainë, kjo do të thoshte edhe "më shumë mbrojtje ajrore", sipas Matisek. Në Gjermani disa politikanë dhe ekspertë janë të mendimit, që vendet e NATO-s të godasin nga territori i vet dronët rusë dhe raketat. Deputeti i CDU-së, Roderich Kiesewetter në opozitë, por edhe përfaqësues nga partitë e koalicionit, Markus Faber nga FDP, Agnieszka Brugger dhe Anton Hofreiter nga Të Gjelbrit e mbështesin këtë ide: Nga vendet si Polonia të mbrohet qielli deri në 70 km brenda në perëndim të Ukrainës.
Faktikisht kjo do të ishte një zonë e ndalim-fluturimit. Kancelari Scholz është kundër çdo lloj pjesëmarrjeje të NATO-s dhe i kritikon ide të tilla. Ai mbështet idenë e më shumë furnizmeve të sistemeve mbrojtëse raketore për Ukrainën- Gjermania vetëm së fundmi dërgoi sistemin Patroit dhe IRIS-T.
Matisek thotë, se ka mirëkuptim për rezervimin gjerman kundrejt Rusisë, për shkaqe historike. Por e shikon si të pranueshëm rrezikun e përshkallëzimit. Nëse misioni perëndimor është i kufizuar dhe qëllohen vetëm raketat ruse dhe dronët vetëm përmbi Ukrainën, jo ato përmbi Rusinë apo aleatët e Rusisë, Bjellorusi, atëherë ky do të ishte "afërsisht një mision humanitar".
Por jo të gjithë mendojnë kështu. Zona e ndalim-fluturimit është e e vështirë të zbatohet, thonë vëzhguesit perëndimorë. Asnjë nga krerët e vendeve të NATO-s nuk e ka pohuar këtë. Rusia ka kërcënuar qartë, se ushtarët perëndimorë në Ukrainë do të bëheshin objektiv sulmesh ruse./ DW