Ambasadori i Kievit në Londër, Vadym Prystaiko, tha se ekipet ukrainase të tankeve “së shpejti do të arrijnë” në Mbretërinë e Bashkuar për të nisur trajnimet për të operuar tanket Challenger 2. Këto lloje tankesh, zyrtarët britanikë kanë premtuar se do t’i dhurojnë Ukrainës. Në një video-intervistë për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë dhënë më 20 janar, Prystaiko tha se “ekipet pritet së shpejti të nisin trajnimet në territorin e Mbretërisë së Bashkuar”.
“Ekipet e sistemeve të artilerive të rënda veçse po trajnohen, ndërkaq operatorët e tankeve do të arrijnë së shpejti”, tha ai.
Londra më 14 janar njoftoi se do të bëhej shteti i parë që do t’i ofrojë Ukrainës tanke moderne luftarake që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Britania ka deklaruar se do t’i japë Ukrainës 14 tanke, teksa vëzhguesit kanë spekuluar se kjo lëvizje do të inkurajojë edhe mbështetësve të tjerë perëndimorë të Kievit të ndjekin shembullin e Londrës.
Gjermania i ka rezituar presionit të disa aleatëve të NATO-s për të dhënë dritën jeshile që Kievi të pajiset me tanket e prodhimit gjerman, Leopard 2. Në takimin e ministrave të Mbrojtjes së Grupit të Kontaktit të mbajtur në Gjermani më 20 janar, nuk u arrit ndonjë pajtim për këtë çështje.
Berlini dhe aleatët e tij në NATO kanë rreth 2.000 tanke Leopard në mbarë kontinentin, por transferimi i tyre në Ukrainë do të kërkonte miratimin e Gjermanisë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha në takimin në Gjermani se SHBA-ja dhe aleatët e tjerë kanë krijuar një paketë të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën, që ata besojnë se do të ofrojë sukses të mjaftueshëm pasi forcat e Kievit të trajnohen që të përdorin këto pajisje.
Prystaiko tha se tanket britanike “do të ndryshojnë situatën në terren”, duke shtuar se “avionët do të jenë hapi i radhës”. Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka diskutuar për transferimin e tankeve me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 14 janar./REL
Lajmi kryesor: