Trupi dhe shëndeti

Trupi dhe shëndeti

Ish- stadiumi Qemal Stafa, Tiranë

Jetonim në kohëra “tematike”. Zëri i Flamur Topit, me një lloj shkëputjeje karakteristike ndillte nanurisje. Në filmat shqiptarë, “Tullumbacja” ishte simboli i shëndetit të mirë, me faqe të kuqe, e bishtaleca. Televizori dhe radioja kishin programacione të dedikuara për sportin dhe shëndetin. Mëngjeseve zgjoheshim me fiskulturën e mëngjesit në radio. Zëri i folësit : një, dy, tre, katër më acaron edhe tani. Asnjë faj nuk kishte ai. Unë nuk e kisha qejf fiskulturën.

Banoja pranë stadiumit “Dinamo” dhe në shkollën tetëvjecare garat i zhvillonim atje. Edhe sot më kujtohet fare mirë gara me pengesa; gjithëmonë pengohesha. Kujtoj profesor Ladin, zysh Erin, Anaciadën dhe Vincenc Kacagjelin. Ishte koha kur sportistët dilnin në faqet e revistave.

Të dielave, apartamentet bucisnin nga zërat e lartë të radiove dhe televizorëve mbushur me sport. Nga ndeshja në ndeshje. Ndërkaq kinematografia shqiptare do ta përdorte sportin si pjesë të shumë filmave të saj. Tek “Njeriu i mirë“, ndërsa Teloja zihej me Verën, sepse nuk i kishte treguar asaj “se ka pasur një dajo me Ballin” shfaqet rikonstruksioni i stadiumit “Qemal Stafa”. Tek filmi “Në shtëpinë tonë“, të dy personazhet kryesorë janë sportistë. Ishte koha kur Ela Tase dhe Kreshnik Tartari e futën Shqipërinë në “hartën” e botës sportive. Koha kur nëpër shtëpi dëgjohej: “mos lëviz se do boj gol kundërshtari”. Tek filmi “Në cdo stinë“, Mira ishte volejbollistja që donin të bëheshin gjysma e vajzave të Tiranës. Sigurisht falë edhe aktores Anisa Markarian. Tek “Odisea e tifozëve” del qartë gjithë pasioni i një brezi të tërë, gati-gati në “sëmundje” për futbollin. Madje edhe në filmin ku demaskohen sovjetikët, “Ballë për Ballë“, ka një moment sportiv, që në një farë mëyre ia “lehtëson” dramaticitetin ngjarjeve. Vajza volejbolliste përcjell të dashurin, përpara stadiumit “Qemal Stafa” për në bazën e Pashalimanit. Cim Xhepa tek “Kthimi i ushtrisë së vdekur” vështron balerinën që “bën prova” në shkallët e stadiumit teksa pret shokun e saj të mbarojë stërvitjen.

Në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja, Niko Xhacka, futbollisti me emër shqiptar do të na jepte lëndën e Gjeografisë. Ishte mësuesi më interesant i shkollës. Eva Kavaja, volejbollistja e “Dinamos” ishte mësuesja jonë e fiskulturës.

Rruga ime për në shkollë për shumë vite kaloi nga stadiumi “Qemal Stafa”. Ishin kohëra kur shkollat kishin shkallë suedeze, kaluc dhe paralele që ktheheshin në vende “erotike” për nxënësit që dashurinë e kishin lexuar nëpër libra me dashuri me “kursim”. Kur kulmi i erotikës ishte një prekje me bërryl në karriken e kinemasë. Djemtë flisnin për sportistët sic flasin sot për “repistët”.

Ela Tase, modeste nuk do ta dijë kurrë “pushtetin” e saj mes njerëzve që vlerësonin sportin në kohë kur sporti dhe arti ishin sinonime me shpresën.

Kreshnik Tartari, njeriu me të cilin mburresha. Unë e kam kushëri Kreshnikun, trainerin e “Dinamos”.

Këta sportistë na dhanë kaq shumë, saqë nuk mjafton asnjë rresht imi për të shprehur mirënjohje. Nuk di të shkruaj për sportin, por lidhjet e mia me të (ndonëse e di që do të thoni “nuk duken”) janë shumë të forta. Falemnderit Tan Kokona që më dhe mundësi të hyj në “stadiumin” e sportit, për të kujtuar, sipas mënyrës sime një plejadë sportistësh që nuk do t’i falenderojmë dot kurrë aq sa duhet

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën