Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një tryezë me aleatët e tij dhe forca të vogla opozitare, ku munguan Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt dhe Mundësia e Agron Shehajt.
I ftuar në Studio Live në Report TV, kreu i Partisë Kombëtare Konservatore, Kujtim Gjuzi, u shpreh se tryeza kishte si synim ndërtimin e një strukture më të gjerë politike.
“Tryeza zgjati përtej 90 minutave, më shumë seç duhet. Berisha sot mblodhi partitë politike parlamentare dhe jo parlamentare. Tryeza ishte për të thënë që duhet ngritur një forum përtej PD-së dhe partive parlamentare e jo parlamentare. U arrit me konsensus që të gjithë së bashku të ngremë një aleancë që vjen nga qendra deri te konservatorët,” tha Gjuzi, duke shtuar se “protesta dhe rezistenca janë dy hapat që duhet të ndërmarrë opozita kundër qeverisë së Edi Ramës”.
Në krahun tjetër, analisti Fatmir Merkoci e cilësoi tryezën një nismë propagandistike pa përmbajtje konkrete.
“Kjo tryezë është e stisur sepse është thirrur për propagandë dhe kishte të njëjtat figura që nuk kanë asnjë ide. Në të gjitha diskutimet ke fjalët ‘duhet’ dhe ‘ndoshta’. Nuk ka absolutisht asnjë zgjidhje. Kishte kauzë? Jo! S’kishte as alternativë. Me gjej një rast në një vend të botës, ku partitë politike bëjnë protesta dhe revolta dhe përmbysin qeverinë” tha Merkoçi duke argumentuar se përpjekjet e opozitës për forume e protesta janë të pasuksesshme për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.
Gjuzi komentoi edhe foton që qarkulloi në rrjetet sociale, ku Selami Jenishehri shfaqej duke dremitur gjatë fjalës së Berishës.
“Ishin dritat e larta. S’ka bërë asgjë për turp,” u shpreh Gjuzi, duke minimizuar episodin që bëri xhiron e rrjetit.
Ndryshe nga ai, Merkoci e vlerësoi tryezën si të pavlefshme në kushtet kur mungon një analizë e brendshme brenda PD-së.
“Ajo tryezë do të kishte vlerë nëse PD do të kishte bërë analizën e vet. Që nga maji deri më sot, PD nuk ka bërë asnjë analizë,” tha ai. Sipas Merkocit, opozita po përsërit të njëjtin model politik pa përmbajtje. “Nëse vazhdojnë të bëjnë shoë politik, ‘Rama ik’ nuk është kërkesë. E keni bërë politikën si pazar,” përfundoi ai.
Komente









