Në Lumin e Vlorës, ku natyra duket sikur bashkëjeton paqësisht me njerëzit, fshihet një realitet tjetër – ai i vështirësive të përditshme të blegtorëve. Në këtë zone, çdo mëngjes zbardh me fytyra të lodhura, duar të ashpra dhe shpresa që zbehen nga pak. Blegtoria këtu nuk është thjesht një zanat; është një ritual i përditshëm, një betejë e vazhdueshme për të mbijetuar.

Në fshatrat Terbaç Brataj, Lepenice, Gjorm, Gumenice, Lapardha, Vodice dhe më tej, në çdo anë, burrat dhe gratë punojnë pa u lodhur për të mbajtur gjallë një traditë që, për ta është bërë mjeti i vetëm për të siguruar jetesen.

Ndërsa flasin për jetën e tyre, blegtorët rrëfejnë për një ndihmë që nuk ka ardhur kurrë nga shteti, ndaj blegtoria tkurret çdo vit. Çmimi i qumështit dhe mishit, qëndron kaq i ulët sa mezi mbulojne shpenzimet e përditshme. Mungesa e përkrahjes nga institucionet i ka lënë të vetëm përballë sfidave të mëdha.

“Shumë e vështirë t’i mbash. Jam i zhgënjyr, si me shtetin si me të gjitha”, thotë një blegtor.

Në sytë e blegtorëve ka një përzierje mes krenarisë për punën që bëjnë dhe zhgënjimit për mungesën e perspektivës. Ata nuk kërkojnë shumë – vetëm atë që mund të sigurojë një jetë më të denjë për familjet e tyre.

“Një kilo ujë është një mijë lekë, një kile qumësht 700 lekë. Ia vlen?”.

Jeta e blegtorëve në Lumin e Vlorës është një tregim që meriton të dëgjohet, derisa nuk është zhdukur plotësisht prodhimi vendas..