Tuk Jakova, nismëtar në themelimin
e Sindikatave të Shqipërisë 

Tuk Jakova, nismëtar në themelimin<br />e Sindikatave të Shqipërisë 
Shqipëria erdhi në shekullin XX si vendi më i prapambetur i Europës. Në vitin 1930, rreth 80 përqind e popullsisë vareshin nga puna në bujqësi, rreth 10 përqind ishin punësuar në shërbimin publik, ushtri dhe polici dhe 10 përqindëshi tjetër ishin artizanë dhe punonjës.

Në prag të pushtimit italian, puntorët përbënin rreth 15 mijë vetë. Një e katërta e tyre punonin në manifaktura dhe sipërmarrje të vogla që kishin më pak se 15 puntorë. Sipërmarrjet më të mëdha ishin në duart e italianëve që shfrytëzonin lëndët e para në vend: naftën, bitumin, dhe bakrin. Me çlirimin e vendit, u bënë të gjitha përpjekjet për daljen nga gjendja ekzistuese. Që në ditët e para u punua për rivënien në punë të ndërmarrjeve dhe për hapjen e vendeve të reja të punës.

Por shtimi i puntorëve dhe rritja e rolit të tyre në zhvillimin e vendit shtroi detyrën për organizimin sindikal. Detyrën për themelimin e Sindikatave e mori përsipër Tuk Jakova, njëri nga drejtuesit kryesorë politikë në vend, ish puntor. Ai ishte marrë personalisht me punën organizative deri në Kongresin e Parë Sindikal që krijoi institucionet e përherëshme të organizatës. Tuku kishte marr pjesë në lëvizjen sindikaliste në Shkodër, kishte qenë një nga drejtuesit e  Grupit Komunist të Shkodrës dhe e kishte ndjekur nga afër rritjen e lëvizjes sindikale në këtë qytet që ishte nismëtar i zhvillimeve sindikale në vend.

tuk jakova

Menjëherë pas çlirimit, me nismën e Tukut, në Shkodër ishte krijuar Sindikata e Përbashkët e Puntorëve dhe Pronarëve të Vegjël. Megjithëse vendi po hynte në rrugën e sistemit njëpartiak, në Rezolucionin dhe Statutin që miratoi Kongresi i Parë i Sindikatave, theksohej se “sindikatat duhej të njiheshin si një forcë ligjore, përfaqësuese e pavarur e punëtorëve dhe nëpunësve të Shqipërisë. Gjithashtu theksohej se duhet t’u garantohej me ligj punëtorëve e drejta e shpalljes së kerkesave ekonomike si dhe e drejta e organizimit të grevës së pjesëshme e të përgjithshme”.

Bashkimi i Sindikatave në atë kohë kishte pavarësi relative, se dhe partia komuniste nuk kishte dale akoma nga ilegaliteti dhe nuk ishte deklaruar “forcë udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë ”. Këto të drejta u hoqën më vonë, kur Bashkimet Profesionale dhe të gjithë organizatat e tjera të masave u quajtën leva të partisë.

tuk jakova
 
Komisioni Nismëtar për krijimin e Bashkimit të Sindikatave të Shqipërisë
Për të kryesuar mbledhjen ishin caktuar: Tuk Jakova, Hasan Reçi
dhe Vasil Nathanaili. Në mbledhjen që nxori Komisionin Nismëtar
(Inisiator) morën pjesë:
1. Tuk Jakova, Shkodër, profesioni marangoz.
2. Fadil Shpori, Shkodër, profesioni kpuctar.
3. Hajrullah Llukaçi, Shkodër, profesioni shofer.
4. Hasan Reçi, Tiranë, profesioni mësues.
5. Koço Xholi, Tiranë, profesioni intelektual.
6. Pavllo Rexho, Tiranë, profesioni garson.
7. Kolë Paparisto, Tiranë, profesioni intelektual.
8. Muhamer Spahiu, Tiranë, profesioni ish-student.
9. Theodor Manxhari, Tiranë, profesioni marangoz.
10. Ligor Marange, Tiranë, profesioni elektriçist.
11. Fetah Krrutani, Tiranë, profesioni tipograf.
12. Vasil Nathanaili, Tiranë, profesioni puntor.
13. Xhoxhi Blushi, Korçë, profesioni rrobaqepës.
14. Miço Thimo, Korçë, profesioni tenexhexhi.
15. Violanda Cicko, Korçë, profesioni puntore tekstili.
16. Ropi Lazi, Korçë, profesioni marangoz.
17. Janaq Çobanaçi, Berat, profesioni puntor.
18. Llambi Maqina, Kuçovë, profesioni puntor.
19. Spiro Pali, Kuçovë, profesioni elektriçist.
20. Andon Poro, Fier, profesioni garson.
21. Haxhi Progonati, Gjirokastër, profesioni këpuctar.
22. Meto Bio, Gjirokastër, profesioni shegert.
23. Mafuz Laze, Vlonë, profesioni mekanik.
24. Ahmet Ruçi, Elbasan, profesioni murator.
25. Pandi Milona, Elbasan, profesioni garson.

tuk jakova

 
Mbledhja e Komisionit nismëtar
Me datën 31 janar të vitit 1945 ishte zhvilluar e para mbledhje e përfaqësuesve sindikalistë në Tiranë ku muarën pjesë 25 delegatë të sindikatave puntore nga çdo prefekturë.   
Mbledhja vazhdoi punimet me këtë rend dite:
1. Problemi i puntorëve (të krahut dhe të mendjes) dhe i sindikatave
në Shqipëri
2. Diskutime
3. Detyrat tona
4. Zgjedhja e Komisionit Inisiator.
 
Fjala e Tuk Jakovës: Mbi problemet e puntorëve dhe të sindikatave në Shqipëri.
Rëndsia e këtij problemi është e madhe jo vetëm nga pikpamja e organizimit të puntorve për zgjidhjen e problemeve të tyre ekonomike, por edhe nga pikpamja politike dhe historike. Këtu në Shqipëri kemi pasur veçanërisht në disa qytete një lëvizje të vjetër puntore, por kurrë ky organizim nuk arriti të plotësohet dhe të bëhet i përsosur mbasi punëtorët kanë qenë të shtypur nga rregjimi i Zogut dhe më vonë, akoma më keq, nga ai i fashizmit. Dëshira ka ekzistuar gjithmonë dhe puntorët kanë ndjerë nevojën, shumë prej të cilve kanë qenë jashtë Shqipërisë.

Kanë parë në vendet e tjera organizimin e klasës puntore, kështu që kanë dasht me aplikue edhe këtu në Shqipëri ato që kanë pare dhe kanë jetuar gjetkë. Ideja ka ekzistuar për një punë të tillë dhe gjithmonë kjo punë e ka proekupuar puntorinë shqiptare.

Që në fillim të Lëvizjes Nacionaçlirimtare puntoria shqiptare rroku armët dhe dha kontributin e saj të pakontestueshëm për të plotsue detyrat karshi Atdheut, dhe me besimin e plotë në të ardhmen do të ketë një përmirësim të konditave të jetesës. Sakrificat e saj nuk vanë kot, u përmbys sistemi i vejetër shtypës dhe sot puntori shqiptar ka përkushtimin e plotë të qeverisë dhe me plot të drejtë kërkon të organizohet, mbasi këtë e ka fituar me gjak. Për ne, problemi shtrohet ndryshe; puntoria shqiptare ja arriti qëllimit të përmbysë sistemin politik shtypës me anë të luftës, sipas platformës së Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Kjo është një fitore e madhe për puntorinë shqiptare. Pengesa kryesore u kapërcye dhe ndihma që do të na japë shteti i ri varet nga ndihma që ne do t’i japim atij. Përmirësimi i konditave të jetës së puntorve varet nga forcimi i pushtetit demokratik. Nuk duhet të kujtojmë se me përmbysjen e sistemit fashist ka mbarue përnjëherë edhe shfrytzimi i klasës puntore. Nuk duhet të harrojmë se akoma jetojmë në një periudhë shfrytzimi dhe me marrjen e pushtetin nuk e kemi zgjidhur problemin krejtësisht, prandaj duhet ta studiojmë gjendjen e puntorve në Shqipëri (konditat e jetesës, nevojat, etj) dhe të fillojë organizimi në të gjithë sektoret dhe në të gjitha qarqet. Për këtë puntorët nga të gjitha anët e Shqipërisë duhet të marrin inisiativën dhe të punojnë për organizimin e sindikatave dhe më vonë për mbledhjen e një Kongresi. Ky problem me shumë randësi i intereson dhe e
preokupon qeverinë demokratike prandaj duhet të marrim edhe lejen e saj.

tuk jakova
 
Diskutime
Pavllo Rexha, Tiranë. Në rregjimin e Zogut ka pas disa sindikata, megjithëse puna e tyre ka qenë e vogël. Në kohën e fashizmit ato mbetën ilegale dhe e ndihmuan Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Janë bërë mbledhje dhe janë organizuar 11 kategori sindikatash, duke
patur afro dymijë adhurues. Çdo sindikatë ka nxjerrë këshillin e vet me 7 ose 9 vetë, simbas madhësisë.
Ropi Lazi, Korçë. Puntoria e Korçës që me 1933 filloi të organizohej, kemi formimin e shoqërisë “Puna”, të këpucbërësve, rrobaqepësve, nëpunësve privatë. Këto kanë pas këshilla administrative dhe statut, që kanë dhënë kontributin e tyre me greva dhe protesta. Me ardhjen e fashizmit ato mbetën ilegale dhe ndihmuan Lëvizjen Nacionaçlirimtare. Sot në Korçë kemi 32 kategori sindikatash me afro dymijë puntorë. Këto janë rrëfyer aktive në shumë raste. Janë përgatitur kurse kundër analfabetizmit, theatro, etj. Janë formuar 2 kolektiva: të rrobaqepësve
dhe të papunëve; janë ngritur rrogat në disa raste dhe në raste të tjera janë dhënë shpërblime për puntorët që patronët i nxirrnin nga puna. Këshilli administrativ i të gjithë sindikatave përbëhet prej 15 vetash.
Pandi Millona, Elbasan. Gjatë rregjimit të Zogut, puntoria nuk ka qenë e organizuar dhe në luftë ka kontribuar për çlirimin e qytetit. Janë formuar 11 kategori sindikatash me afro 500 vetë. Është zgjedhur këshilli i të gjithë sindikatave prej 14 vetësh, duke patur një kryesi prej 4 vetësh; kryetari, një nënkryetar, një sekretar dhe një antarë. Spiro Pali, Kuçovë. Në vitin 1935 është formuar shoqëria “Puna”; është bërë një grevë në fruer 1936 për përmirsimin e konditave të jetesës, por dështoi nga ndërhyrja e Qeverisë. Puntoria e Kuçovës ka ndihmuar Lëvizjen Nacionaçlirimtare me njerëz dhe me ndihma të ndryshme. Sot është formuar një sindikatë me 580 vetë (më shumë janë italianë) duke patur një këshill prej 13 vetësh, 6 italianë dhe 7 shqiptarë. Ka një kryesi me kryetarin, një nënkryetar, një sekretar dhe një arktar. Është formuar shtëpia e puntorve. Si shpërblim të punës sot për sot puntorët marrin vetëm ushqim për veten e tyre dhe për familjen.
Mafuz Laze, Vlorë. Në vitin 1940 u bë një grevë e madhe në Selenicë. Në Vlorë akoma nuk ka sindikatë.
Fadil Shpori, Shkodër. Në të kaluarën në Shkodër nuk ka pas sindikatë, megjithëse atje ka ekzistuar një industri e vogël. Tashti janë formuar 12 kategori sindikatash me afro 1200 persona. Nuk është zgjedhur akoma këshilli i sindikatave. Punëtorët sot po ndihmojnë ushtrinë (kepucëbërësit, rrogabeqepësit).
Meto Boi, Gjirokastër. Në të kaluarën s’ka patur ndonjë organizim puntorësh. Në vitin 1942 është bërë greva e bukës. Puntoria ka ndihmuar partizanët dhe ka marrë pjesë në luftë. Sot ka 14 kategori sindikatash me 600 vetë.
Janaq Çobanaçi, Berat. Në të kaluarën nuk ka patur ndonjë organizim. Sot nuk është bërë ndonjë organizim se edhe tregu është djegur.
Hasan Reçi, Tiranë. Shoqëria e këpuctarëve dhe e rrobaqepësve u formua në Tiranë në vitin 1926 por u shpërnda nga qeveria. Në vitin 1934 u bë greva e këpucbërësve që kundërshtonin sjelljen e këpucëve nga jashtë; në vitin 1935 u zhvillua greva e karrocaxhinjve si protestë kundër masave të bashkisë. Mësuesit në kohen e Mirash Ivanajt bën një tentativë organizimi por u ndaluan nga qeveria.
Xhoxhi Blushi, Korçë. Objektivi jonë nuk është kundër qeverisë, por ne jemi në bashkëpunim me të. Duhet të dëgjohet zëri ynë edhe jashtë, që edhe ne të mund të përfaqësohemi në konferencat e puntorëve të gjithë botës. Në Korçë gjatë periudhës së fashizmit janë formuar njësitet guerrile në sindikata.
Miço Simo nga Korça flet për jetën e puntorëve në Shqipëri.
 
Diskutimi i Tuk Jakovës
Gjer tashti ka munguar organizimi i intelektualëve puntorë; është detyra jonë që ne t’i organizojmë dhe ti bëjmë që të marrin pjesë aktive në sindikatë. Çështja e statutit është me shumë randësi por, tash për tash, nuk mund ta bajmë. Më vonë, pas një studimi të imët të
gjendjes së puntorisë dhe në bazë të gjendjes së re që është krijuar në Shqipëri do të jemi në gjendje ta shtrojmë këtë problem. Sot duhet të hedhim themelet e sindikatave dhe të caktojmë katëgoritë e tyre, për të mos formuar një numër të madh me pak adhurues. Duhet të përpilohet trakti për publikim, i cili do të shpjegojë rëndësinë dhe nevojën e sindikatës dhe do t’i popullarizojë. Duhet të përgatitet një miting i gjërë nga puntoria e Tiranës dhe një përfaqësi e puntorëve të gjithë qyteteve të Shqipërisë, nga ku do të dalë Këshilli i Përkohshëm që do të marrë përsipër organizimin e puntorëve në sindikatë dhe përgatitjen e Kongresit. Të përpilohet një letër për të kërkuar leje nga qeveria për organizimin e sindikatave.
 
Zgjedhjet për Komisionin Nismëtar
U bënë zgjedhjet për Komitetin Organizator, nga ku dolën:
1.Tuk Jakova, 2. Mafuz Laze, 3. Hasan Reçi, 4. Vasil Nathanaili, 5. Luigj Filipi, 6. Xhoxhi Blushi, 7. Kol Paparisto, 8. Gogo Nushi, 9. Pavllo Rexho, 11. Koço Xholi, 11.Hajrullah Llukaçja, 12. Violanda Cicko, 13. Pandi Millona, 14. Llambi Maqina, 15. Meto Bio, 16. Muamer Spahiu.
Po ashtu, mbledhja vendosi t’i kërkojë leje Qeverisë se Parë Demokratike për të organizuar legalizimin e Sindikatave të Shqipërisë.
 
Kërkesa për themelimin e Bashkimit të Sindikatave të Shqipërisë
Qeverisë Demokratike të Shqipërisë
Neve përfaqësuesit e puntorëve të krahut e të mendjes, të organizuem në sindikata dhe të atyre që akoma janë të paorganizuem, të qarqeve të ndryshme të Shqipërisë të mbledhur këtu në Tiranë me datë 31 janar 1945, duke parë nevojat e organizimit të sindikatave puntore, zgjodhëm një Komision Inisiator që do të marri përsipër organizimin e sindikatave në Shqipëri.
Puntoria shqiptare ka marrë pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare për çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi dhe me kontributet që ka dhënë, ajo është e lidhur ngushtë me Qeverinë Demokratike të Shqipërisë.
Sot në gjithë botën, veçanërisht në popujt që kanë qenë shypur nga fashizmi dhe që kanë marrë pjesë aktive në luftë kundra tij, organizimi i puntorëve në sindikata ka marrë një hov të madh. Edhe këtu, me çlirimin e vendit tonë, problemi i organizimit të sindikatave paraqitet për të gjithë klasën puntore si një nevojë e domosdoshme. Puntoria shqiptare që ka qenë kurdoherë e gatëshme për të dhënë çdo kontribut dhe sakrificë për vendosjen e pushtetit demokratik popullor, kërkon sot të organizohet me qëllim: a. Forcimin e shtetit demokratik; b. Rindërtimin e Shqipërisë; c. Përmirësimin e konditave ekonomike, politike, shoqnore dhe kulturale të klasës puntore; ç. Të ndihmojë për zhvillimin e ekonomisë kombëtare.
Duke qenë se kërkesa jonë e drejtë do të ketë pëlqimin e qeverisë sonë demokratike mbetemi në pritje të aprovimit të kësaj kërkese, me ndërime.
Për Komisionin Inisiator:

tuk jakova

Tuk Jakova, Vasil Nathanaili, Xhoxhi Blushi, Hasan Reçi, Mafuz Laze.
 
Marrë nga libri “Tuk Jakova – Jeta dhe vepra”, me autor Nikollë Loka, botime “Grand Prind”, Tiranë 2017

tuk jakova

tuk jakova

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prish provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarët kur si pëlqejnë vendimet

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prish provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarët kur si pëlqejnë vendimet