Tumori i zorrës së trashë, po prek gjithmonë e më shumë njerëzit, por alarmant është fakti se po shtohet edhe tek moshat e reja. Nutricionisti Altin Joka në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, është ndalur në disa studime botërore si dhe ka dhënë këshilla jo vetëm sesi duhet të ushqehemi për një zorrë të shëndetshme që parandalon rrezikun e kancerit, por edhe për ata persona që janë duke u përballur me kancerin e zorrës.

“Truri jonë i dytë është zorra, 380 mijë raste të reja të prekura nga kanceri i zorrës ka sot në Europë. Shumë më shpesh po preken të rinjtë. Në vendin tonë para viteve 90’ ishin 6 raste për 100 mijë banorë, sot janë 18 raste në 100 mijë banorë. Këtë thonë statistikat, por besoj se ka shumë raste të tjera që ende nuk janë diagnostifikuar” u shpreh Joka.

Nutricionisti shpjegoi se kanceri krijohet gradualisht, madje Joka shpjegoi se shumë mjekë nuk e thonë, por në zorrët tona ka një bakter shumë të rëndësishëm, i cili kur mungon rrezikon zorrët.

“Shumë mjekë nuk e thonë, por është një bakter shumë i rëndësishëm në zorrën tonë, tek ata që janë me tumor nuk ekziston fare. Ky bakter inkurajon qelizat e zorrës që të krijojë një shtresë mbrojtëse të mirë të saj”, u shpreh Joka.

Nutricionisti tha se duhet të tregojmë kujdes nga helmimet, sidomos nga helmimi në fëmijëri.

“Nëse kemi marrë nga një helmim në fëmijëri Eshijakolin, ai lë gjurmë në AND-në tonë, kjo çorganizon zorrën për dekada dhe sjell kancerin”, tha nutricionisti.

Por çfarë duhet të bëjmë për të pasur zorrë të shëndetshme?

Duhet të hiqni ushqimet me pesticide, të hani sa më pak ushqim, të agjëroni herë pas here si dhe të keni kujdes kur e zgjidhni ushqimin si dhe të dini ta gatuani pa ja humbur vlerat ushqyese. Shtoni në dietën tuaj arra, bajame lajthi, pra fibrat. Gjithashtu, bëni një analizë që tregon detajet e mikrobiomës intensinale, për të kuptuar si është situata e zorrës.

“Miqtë e zorrës janë fibrat, perimet jeshile, karrotat, farat e lirit dhe chias. Ato prodhojnë butiratin që është shumë i rëndësishëm për mukozën e stomakut. Ata që janë me kancer në zorrë, sipas studimeve, rezulton se kur konsumojnë arra kanë 57 përqind përmirësim.  Ushqimet si hudhra, qepa, lakra, çikorja, boronica, mango, rrushi i kuq, kakao, çaji jeshil, xhinxhër, çaj menteje janë shumë të mira për zorrët. Gatimi më mirë është me avull, jo të skuqura, pasi rrit mundësinë për krijimin e polipeve në zorrë”. 

Nëse jeni duke bërë kimio apo jeni prekur nga kanceri i zorrës, ja çfarë duhet të hani sipas ekspertit holistik Joka.

“Zorra është e plagosur, kujdes! Mbroni mukozën, pastroni dhe detoksifikoni zorrët. Aloe vera, vaj peshku, çaji i kurkumës me vaj ulliri dhe ujë të ngrohtë, çaj xhinxhëri, çaj kamomili me trumzë dhe rozmarinë, çaj shafrani me koper dhe lule bliri, çaj lule rradhiqe, rrush i kuq, probiotikë si dhe ushqime të pasura me zink. Janë disa terapi për të rregulluar zorrën që japin rezultate të mira për të ulur problemet me dëmtimin e saj, por të gjitha këto duhet të ndiqen me konsultë nga mjekët specialist”, u shpreh Joka. 

Shenjat që tregojnë se mund të jeni prekur nga kanceri i zorrës

Ndryshimi i feçes, forma ngjyra dhe era tregon shumë. Problemet me dhimbje të zorrës, gazrat me erë të rëndë, probleme me tretjen, fryrje pa sens, apo probleme me energjinë, rënie të peshës 10-20 kg. Gjithashtu edhe temperatura 37,5 e vazhdueshme tregon se mund të  keni inflamacion.

Ja cilët janë armiqtë e zorrës tuaj!

Frika, xhelozia, energjia negative sjell probleme në zorrë, sistemi tretës ndalon së funksionuari, rrezik është edhe obeziteti, dietat me ushqime ultra të përpunuara, alkooli, duhani, mungesa e aktiviteti fizik, mungesa e gjumit si dhe ekspozimi ndaj toksinave ndikon në shfaqjen e kancerit të zorrës. Mishi i kuq gjithashtu është cilësuar si një armik, sallamrat e proshutat rrisin 18 përqind probabilitetin e kancerit në zorrë.  Nutricionisti Joka shpjegon se mishi i kuq ka hekurin eme, i cili krijon probleme në mukozë. “Nëse mishi vjen nga bagëti që janë rritur në ferma është shumë më i dëmshëm se ai që vjen nga kullotat. Ju këshilloj të përdorni mish 1 herë në javë. Konsumojeni të zjerë, pasi mishi i pjekur shumë shkakton probleme në pankreas”, tha Joka. Nutricionisti rekomandoi që nga dieta ushqimore duhet të hiqen sa më shumë ushqime me pesticide.