Tenderi i pare për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u hap më 11 dhjetor 2020, me vlerë 19.1 miliardë lekë dhe u mbyll më 12 shkurt 2021. Por më 19 prill 2021 në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, u njoftua se tenderi ishte anuluar, pasi asnjë ofertë nuk ishte e suksesshme në përputhje me dokumentet e tenderit.

Sipas deputetit Gazmend Bardhi, i cili ka bërë dhe denoncim në Spak, në këtë procedurë u paraqitën 6 oferta, ku më e ulta, ishte ajo e shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë 14 miliardë lekë ose rreth 140 milionë euro.

E njëjta garë u shpall 22 qershor 2021 për ndërtimin e tunelit të Llogarasë me fond limit 18.9 miliardë lekë, pa Tvsh. Në tenderin i cili u mbyll më 28 korrik po të vitit 2021, u bënë 5 oferta, ku grupi I dy kompanive turke Intecar dhe Asl, u shpall fitues, me ofertë 17 miliarde leke, pa Tvsh.

Oferta e tyre ishte e katërta për çmimin më të ulët. Bashkimi i kompanive JV Concord Engineering and Contracting &Alb Building shpk & Alb Star shpk, që kishte dhënë një ofertë afro 12 milionë euro më të ulët, u skualifikua, sikundër dhe tre të tjerat.

Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., e cila vetëm pak muaj më parë në tenderin e mëparshëm duke ofruar një vlerë ndjeshëm më të ulët, nuk u përfshi në garën e dytë. Por gjurmët e saj do të shfaqen më vonë. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit “dokumentacioni për regjistrimin e shoqërisë që do të veprontë në Shqipëri, në emër të dy kompanive fituese turke, është bërë nga shtetasja Rovena Dorëzi, e cila rezulton të jetë e punësuar si juriste në shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.a. Regjistrimi i shoqërisë “INTEKAR – ASL” në regjistrin tregtar është bërë në datën 23.11.2021”, shkruhet në denoncimn e bërë nga deputeti Bardhi.

Po sipas tij shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a, rezulton të jetë përfshirë si nënkontraktore e punimeve. “Logot dhe punonjësit e saj shfaqen në të gjitha inspektimet që janë kryer nga Belinda Balluku, gjatë kryerjes së punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë”, shkruan Bardhi duke shtuar se diferenca prej 30 milionë eurosh mes ofertës së tyrqve dhe asaj të “Gjoka Konstruksion” “është “tarifë suksesi” e shoqërisë “INTEKAR – ASL”, pa kryer asnjë punë, pasi të gjitha punimet janë realizuar nga shoqëria shqiptare “Gjoka Konstruksion” sh.p.k.

 Nga kjo skemë, mbi të cilën rëndojnë dyshime serioze për korrupsion apo abuzim me detyrën, Buxhetit të Shtetit provohet se i është shkaktuar një dëm prej të paktën 30 milionë euro, për shkak se nuk pasqyrohet ndonjë shpenzim për këtë vlerë”.