Turi ballkanik, Ursula von der Leyen mbërrin në Shkup! Nesër takime me Kurtin dhe Osmanin

Turi ballkanik, Ursula von der Leyen mbërrin në Shkup! Nesër takime me Kurtin dhe Osmanin

Von der Leyen pritet nga zv.kryeministri Bojan Maricik

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Shkup, në kuadër të turit që po zhvillon në Ballkanin Perëndimor. Nesër Von der Leyen do të mbërrijë në Prishtinë, ku do të zhvillojë takime me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Shefja e KE-së do të ndalet edhe Podgoricë, Beograd dhe Sarajevë.

Gjatë vizitës në vendet e Ballkanit Von der Leyen do të prezantojë Kornizën Investuese të Ballkanit Perëndimor, një iniciativë e përbashkët e BE, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve ballkanike.

Paketa e investimeve e planifikuar nga blloku për avancimin e rajonit arrin në 6 miliardë euro, 2.1 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi.

Gjatë takimeve në Maqedoni një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet reformave dhe ndryshimeve kushtetuese që janë të domosdoshme për integrimin evropian.

“Kemi çështje të rëndësishme për të biseduar në lidhje me reformat dhe angazhimet tjera para përfundimit të procesit të shqyrtimit dhe përpara publikimit të Raportit Vjetor të Progresit 2023. Në takimet e ditës së hënë presim diskutime të dobishëm të fokusuar në hapat dhe planet e ardhshme për përparim të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në BE”, tha zëvendëskryeministri maqedonas, Bojan Mariçiq, përmes një postimi në Facebook pas pritjes që i bëri zyrtares së BE-së në aeroportin e Shkupit.

Vizitën në Maqedoninë e Veriut, shefja e KE-së e nisi me një darkë pune me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, ndërsa të hënën do të pritet nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Ajo po ashtu do të vizitojë edhe një fabrikë për përpunimin e pemëve dhe perimeve të financuar nga programi evropian IPARD.

Në agjendës e zyrtares së lartë të BE-së, për momentin nuk janë parashikuar takime me drejtuesit e opozitës maqedonase nga të cilët varet nëse do të miratohen apo jo ndryshimet kushtetuese deri në dhjetor, pas së cilës do të dihet nëse Këshilli Evropian do ta marrë vendimin që Shqipëria së bashku me Maqedoninë e Veriut të nisin fazën e dytë të negociatave të anëtarësimit.

Vizita vjen pas takimeve të presidentes von der Leyen në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:52
Von der Leyen në Shkup, takim me presidentin Pendarovski

Presidentja e Komisionit Europian, Usrula von der leyen ka mbërritur në Shkup, në kuadër të turit që po zhvillon në vendet e Ballkanit Perëndimor. Von der leyen u prit në aeroport nga zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq. Më pas, presidentja e KE ka zhvilluar takimin me Presidentin e Maqedonisë, Stevo Pendarovski.

“Me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, diskutuam për fazat e ardhshme të negociatave pas përfundimit të procesit të shqyrtimit dhe dinamikën e zbatimit të reformave”, shkroi Pendarovski pas takimit.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë