/ATSH / - Numri i turistëve gjatë këtij viti është rritur ndjeshëm në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, kjo si rezultat i promovimit të këtij parku në median e shkruar dhe atë vizive, si dhe në rrjetet sociale.
Gjatë këtij sezoni turistik janë regjistruar rreth 3500 turistë të huaj që kanë vizituar këtë park.
Shebenik-Jabllanica shtrihet në pjesën lindore të rajonit të Librazhdit dhe përfshin malet me të njëjtin emër kufizues me Maqedoninë. Parku ka shtrirje më të madhe se 40 km, në veri nga fshati Steblevë deri në jug në fshatin Rrajcë, duke përfshirë në hapësirën e tij një sipërfaqe prej 33.929 ha.
Ky park, tashmë i rinovuar nga dëmtimet e shumta në vite, është kthyer në një atraksion turistik për shtetasit e huaj por edhe për vendasit. Gjatë kësaj fundjave, një grup të rinjsh nga Belgjika vizituan këtë park dhe lanë përshtypjet e tyre pozitive për natyrën e bukur dhe pritjen tepër miqësore nga administrata e parkut dhe banorët vendas.