Edhe pse situata epidemiologjike në vend është përmirësuar dhe vaksinimi vijon me ritme të shpejta, suksesi i këtij sezoni turistik mbetet i kushtëzuar. Sipas anëtarit të bordit drejtues të shoqatës së tur-operatorëve, Besnik Vathi thotë për Report TV se situata është e paqartë.
“Nuk varen gjërat nga sa mirë i bëjmë gjërat ne, por nga edhe nga hapja që do të realizohet nga vendet e tjera, vaksinimi në vendet e tjera, nga ecuria dhe kthimi mbrapa tek infeksionet. Varet më shumë nga situata e rajonit apo e atyre vendeve që kanë marrëdhënie me Shqipërinë. Unë mendoj se situata është ende e paqartë edhe vera e këtij viti do të jetë e vështirë, duke i shtuar edhe specifikën që ka turizmi që nuk fillon menjëherë me hapjen. Nëse hapja njoftohet 2-3 muaj më para ndoshta po por nëse njoftohet sot për nesër, turizmi nuk fillon menjëherë. Në këto kushte vera është e rrezikuar por mund të garantohet një vjeshtë më e mirë”, shprehet Vathi.
Pavarësisht panoramës pesimiste, Vathi thotë se turizmi këtë vit do të jetë shumë herë më i mirë se ai i vitit të kaluar.
“Ndoshta do të jetë 20-30% më lart sesa viti i kaluar, duke pasur parasysh se vjeshta do të jetë më normale. Humbjet kanë filluar, ne humbëm periudhën e pranverës me turizëm thuajse inekzistent po fillon vera dhe ende jemi të paqartë”, sqaron Besnik Vathi.
Nga ana tjetër ecuria pozitive e sezonit, varet shumë edhe nga masat mbështetëse që duhet të ndërmarrë qeveria.
“Bizneseve të turizmit u ka munguar ndihma dhe vijon t’ju mungoj ndihma për të mbijetuar. Do doja të shikoja një ndërhyrje të qeverisë për të ndihmuar këto biznese për të marrë personelin në punë paraprakisht. Me rezultatet që kemi ne jemi vend me raste të ulta infektimi dhe ecuri mjaft të mirë vaksinimi por këtë e dimë ne por sa e dinë të tjerët. Duhet të bëhet një diplomaci e madhe për të krijuar marrëdhënie për njohje të situatës tepër të mirë që ka Shqipëria me pandeminë. Duhet të ketë kontakte me BE që pasaporta e vaksinimit e BE-së të lejohet edhe për lëvizje drejt Shqipërisë”, tha Vathi.
Sa i takon protokollit shëndetësor anti-COVID për sektorin e turizmit, Vathi shprehet se mund të zbatohet edhe ai i vitit të kaluar, pasi do të rriste sigurinë për turistët.
“Mendoj se situata dhe vendimet e Komitetit kanë qenë të menaxhuara saktë, nuk është problem mbajtja e protokollit në hotele, mendoj se me atë protokoll që ishte vitit të kaluar, edhe me lehtësimin e masave kufizuese besoj do të kemi rritje të aktivitetit në të gjitha sektorët e turizmit”, pohon ai.