Teksa po mbyllet muaji i parë i sezonit veror, Lezha shënon 15 për qind më shumë pushues se qershorin e vitit të kaluar.
“Ne kemi bërë një analizë me 35 operatorë ku kanë komunikuar se shifrat janë shumë të mira në krahasim me vitet e tjera. Kemi rreth 15% rritje që është faktor pozitiv”, thotë drejtori i turizmit, Renaldo Xhanaj.
Një nga faktorët që ndikoi në këtë rritje është festivali i muzikës elektronike UNUM, i zhvilluar në Shëngjin. Aktiviteti mblodhi rreth 60 mijë pjesëmarrës dhe shërbeu për promovimin e zonës.
“Fillon sezoni me të dhe ka impakt shumë pozitiv në ekonomi, bën një nisje shumë të famshme”, thotë operatori turistik Xhulio Nikolla.
Harta e turistëve është zgjeruar. Të huajt që vijnë përmes agjencive ndërkombëtare zgjedhin kryesisht paketat "all inclusive".
“Polonia shumë, Kosova, Maqedonia”, thotë operatori Flor Marnikolaj.
“Gjermanë, popujt e veriut, gjithë bota thuajse”, shton Nikolla.
Operatorët e turizmit presin që fluksi të rritet edhe më tej gjatë korrikut dhe gushtit, kur sezoni arrin kulmin.
“Ne kemi eksperiencë shumë të re, por po ecim me hapa të këndshëm.”
“Prezenca e turistëve të huaj është rritur.”
Niveli i lartë i rezervimeve për javët në vijim shihet si një tregues se interesi për bregdetin e Lezhës vazhdon të jetë në rritje.
Komente






