Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, është shprehur se është i gatshëm për të kandiduar në zgjedhjet lokale të vitit 2027 për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

Komentet Alimehmeti i bëri në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ku tha se i kë vënë në dijeni edhe zyrtarët e lartë të PD-së dhe kryedemokratin Sali Berisha, për gatishmërinë e tij për të kandiduar.

“Unë i kam vënë në disponibilitetin tim opozitës. Opozita do ulet dhe do e diskutojë këtë kandidaturë dhe të tjerat. Përsa më përket mua, unë jam disponivël, siç mund të ketë edhe pretendentë të tjerë. Kam folur me Berishën dhe të tjerë dhe ata janë në dijeni të disponiblitetit tim. Unë mendoj që interesi publik është referendumi publik kundër Ramës, sepse është bërë një lloj kanceri që po na mbyt të gjithë. Mendoj se interesi kyç për Shqipërinë janë zgjedhjet vendore”, tha mes të tjerash Alimehmeti.

Më tej Alimehmeti ka deklaruar se zgjedhjet lokale përbëjnë një referendum kundër kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar situatën politike në vend si një “luftë totale”. Në një deklaratë të tij, ai u ndal te zhvillimet politike të muajve të fundit, kritikat ndaj reformës territoriale dhe pretendimet për parregullsi në proceset zgjedhore.

Sipas Alimehmetit, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të një viti më parë dhe mandatit të fortë që mori Partia Socialiste, gjatë katër muajve të fundit kanë ndodhur zhvillime që, sipas tij, kanë ndryshuar perceptimin e qytetarëve për qeverisjen.

“Një vit më parë na thoshin: ‘Rama 83 mandate, mund të bëjë ç’të dojë’. Por çfarë ka ndodhur gjatë katër muajve të fundit? Askush nuk e priste. Njerëzit e kuptojnë që Rama po punon për veten dhe jo për njerëzit”, u shpreh Alimehmeti.

Ai kritikoi gjithashtu deputetët që votuan hartën e re territoriale, duke deklaruar se duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre. Sipas tij, debati nuk duhet të përqendrohet vetëm te fitimi apo humbja e zgjedhjeve, por te mënyra se si u ofrohen shërbimet qytetarëve.

“Unë mendoj se duhet bërë një shtyllë turpi për këta njerëz që votuan hartën e re territoriale. E dëgjuat ju çfarë thoshin ata? ‘Do t’i fitojmë të gjitha bashkitë’. Nuk është çështja këtu nëse fiton apo humb, por t’u japësh shërbime njerëzve”, deklaroi ai.

Alimehmeti vuri në pikëpyetje edhe pavarësinë e vendimmarrjes së deputetëve, duke pretenduar se, nëse votimi për ‘Territorialen’ dhe për imunitetin e Ballukut do të ishte i fshehtë, rezultati sipas tij do të ishte ndryshe.

Duke iu referuar debatit për Reformën Territoriale, Alimehmeti tha se kundërshtimet ndaj saj nuk kanë ardhur vetëm nga opozita, por edhe nga qytetarë dhe përfaqësues të mazhorancës. Ai përmendi gjithashtu qëndrime të Këshillit të Evropës dhe të disa deputetëve socialistë, të cilët, sipas tij, kanë shprehur rezerva ndaj raportit.

“Mandati është i deputetit dhe jo i kryetarit të partisë”, theksoi Alimehmeti, duke kundërshtuar atë që e konsideron ndikim të drejtuesve partiakë mbi vendimmarrjen e deputetëve.

Ai komentoi edhe protestën e Partisë Demokratike para Kuvendit kundër Reformës Territoriale, duke argumentuar se mungesa e organizimit dhe e informimit të qytetarëve ndikoi në pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve.

“Për protestën e PD-së para Kuvendit kundër Reformën Territoriale nuk pati organizim. Njerëzit nuk e dinin fare. Prandaj nuk kishte pjesëmarrje”, theksoi Alimehmeti.

Sipas Alimehmetit, problemi qëndron te mënyra se si një pjesë e përfaqësuesve politikë e kuptojnë mandatin e marrë nga qytetarët. Ai pretendoi se pushteti po përdoret për interesa personale dhe partiake, në vend që të shërbejë për qeverisjen e vendit.

Në deklaratën e tij, Alimehmeti iu referua edhe deputetit socialist Erion Braçe, duke pretenduar se ky i fundit kishte pranuar se kishte vepruar nën presion, për të votuar për Reformën Territoriale. Sipas Alimehmetit, Braçe kishte zgjedhur të qëndronte brenda partisë për të shmangur përjashtimin.

“Këta të Rilindjes e ngatërrojnë gjithmonë. Mendojnë se merr mandat për të abuzuar, jo për të qeverisur. Braçe e pranoi, tha ‘kisha presion, prandaj e bëra’. Ai vendosi që të qëndronte brenda partisë dhe të mos përjashtohej. Ky ka objektiv të zhbëjë shtetin”, tha ai.

Më tej, ai ngriti shqetësime për hetimin e krimeve zgjedhore në Shqipëri dhe iu referua raportit të fundit të OSBE/ODIHR-it, të cilin e interpretoi si një tjetër tregues të pabarazisë në proceset zgjedhore.

“Krimi zgjedhor në Shqipëri nuk hetohet. Ke raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it që thotë se në Shqipëri, në zgjedhjet e fundit, zgjedhjet janë të pabarabarta. Po ashtu thotë raporti i fundit: ‘Është një parti-shtet’”, deklaroi ai.

Alimehmeti u shpreh gjithashtu se, sipas tij, kryeministri Rama mund të largohet nga pushteti vetëm duke u përballur me presion të brendshëm dhe të jashtëm, por jo përmes votës. Ai ngriti si shqetësim edhe çështjen e orientimit të politikës së jashtme të Shqipërisë, duke pretenduar se qeveria po largohet nga perspektiva evropiane dhe po afrohet me Lindjen.

“Rama nuk e do BE-në, prandaj shikon drejt Lindjes dhe Vuçiçit. Realiteti është që ne kemi një dëshirë popullore për të shkuar drejt Perëndimit dhe një dëshirë të Ramës për të shkuar drejt Lindjes”, përfundoi Alimehmeti.

Deklaratat e tij vijnë në një klimë debatesh politike pas votimit të enjten e kaluar në Kuvend me 85 vota të Reformës Territoriale.