Pas një viti sfidues për mbarë botën, bregdeti shqiptar është gati të presë pushues të huaj e vendas. Industria e turizmit edhe pse është plagosur nga pandemia COVID-19, tanimë është gati për të nisur gjithçka nga e para dhe më të fortë.
Ditët e ngrohta të pranverës kanë tërhequr edhe turistët e parë, të cilët i japin kuptim, nisjes së sezonit veror. Edhe pse në pandemi sytë e ri-ngritjes janë përsëri tek turizmi, me shpresën se sezoni do të jetë më i suksesshëm sa ai i vitit që shkoi.
“Kam shumë besim që në 2021 do të jetë një vit ku turizmi nuk do të jetë vetëm një nxitës i ekonomisë por do të jetë një guru i jashtëzakonshëm i rritjes së cilësisë së jetës, një guru që do të predikojë jetën e mirë. Turizmi do të jetë shenja që jeta do fitojë mbi vdekjen”, tha ministri i turizmit Blendi Klosi në hapje të sezonit në Dhërmi.
Nën sloganin ‘Pusho Shqip” bregdeti Jon të fton ta vizitosh, jo vetëm për ujin e kaltër por edhe për ndërthurjen e relieveve natyrore dhe monumenteve historike e kulturore. Dhërmiu premton edhe më shumë se sa vetëm bregdetin, turizmi i zonës nuk mbaron aty por pasi fshati Vuno po tërheq çdo ditë e më shumë vizitor. Arkitektura e fshatit vendosur mbi detin jon si dhe rrugët ndërlidhëse me kalldrëm ofrojnë për turistët qytetërimin dhe kulturën e të kaluarës. Jo vetëm arkitektura por edhe kultet fetare janë një tjetër atraksion në fshatin piktoresk. Dhërmiu mbetet padyshim një nga fshatrat më të bukur të Shqipërisë, ku natyra dhe arkitektura lokale plotësojnë festivalet e plazheve dhe pushimet bregdetare.
Edhe pse slogani ‘Unë rri në Shqipëri’ do të na shoqëroj edhe këtë sezon, sytë e rimëkëmbjes së plotë janë drejt ndërkombëtarëve.
“Kemi filluar të presim turistë nga vendi dhe nga jashtë kufijve. Para 2 javësh erdhën turistët e parë të Ukrainës, kemi çelur Poloninë. Presim një sezon më të mirë se viti 2020. Ne kemi eksperiencën tonë që nuk shohim vetëm se çfarë do të shesim neve por edhe se çfarë do të shesë rajoni. Gjatë gjithë kohës jemi përgatitur për të nxjerrë ofertat tona dhe jo duke menduar sesa na intereson por duke i krahasuar me konkurrentët tonë”, pohon kryetari i Operatorëve Turistik për jugun Vasil Bedinaj.
Përpos peripecive të shkaktuara prej pandemisë, jugu po punon për oferta tërheqëse turistike por njëkohësisht edhe paketa ekonomike.
Jo vetëm bregdeti i vendit por edhe monumentet natyrore po tërheqin një numër të konsiderueshëm turistësh. Syri i Kaltër është një nga destinacionet që po preferohet çdo ditë e më shumë’. Një nga destinacionet më të bukura të jugut të Shqipërisë, Syri i Kaltër, i rrethuar nga natyra dhe që përshkohet nga uji i kristaltë rreth e qark pemëve, po merr çdo vit e më shumë qindra turistë. Edhe në vitin më të vështirë atë të pandemisë, ky destinacion u vizitua nga mbi 33 mijë turistë vendas e të huaj, e që këtë vit premton një numër shumë herë më të madh.
Turistët e parë kanë mbërritur edhe për këtë vit. Pushues nga Polonia dhe Çekia sfidojnë ujin e ftohtë në Syrin e Kaltër dhe zgjedhin të bëjnë zhytje. Përpos pamjes së bukur turistët kërkojnë të mësojnë edhe diçka më shumë për Syrin e Kaltër.
“Shqipëria është një vend shumë i bukur, me male të bukura dhe nuk e kisha vizituar më parë. Mendoj se do kthehem prapë. Vitin që vjen mbase. Është më të vërtet shumë i bukur, do të doja të dija sesa i thellë është , mbase edhe do të notoj aty. Ne do të qëndrojmë edhe dy javë të tjera këtu, kemi qëndruar një javë deri tani dhe do të jemi këtu edhe për dy të tjera”, thotë njëri nga turistët.
Një pjesë e tyre vijnë për herë të parë por vendet që kanë vizituar i bëjnë që të rikthehen përsëri, ndoshta në një destinacion tjetër të Shqipërisë.
“Është hera ime e dytë në Shqipëri dhe vendi më duket shumë i bukur. Së pari këtu ka shumë natyrë të bukur, ka çdo gjë, liqene, dy bregdete, male por nuk duhet të harrojmë se njerëzit janë jashtë mase mikpritës. Sigurisht edhe ushqimi është jashtëzakonisht i shijshëm por duhet të kujdeseni pak që të mos shtoni në peshë. Fatkeqësisht do të qëndroj vetëm edhe për një javë sepse duhet të kthehem për dasmën e vëllait tim në Poloni. Gjithsesi shpresoj që të rikthehem sërish në Shtator por kësaj here në Shkodër dhe në Theth. Sepse njerëzit këtu në jug edhe pse kanë këtë bregdet të mrekullueshëm ata thonë gjithmonë se Veriu është edhe më i bukur, thotë një tjetër turiste.
Impresionuese është pamja për një tjetër pushues.
“Jam shumë i lumtur se pata mundësinë të vizitoj Syrin e Kaltër, ka qenë një nga vendet që doja të vizitoja me çdo kusht në Shqipëri. Është me të vërtet shumë i bukur, impresionues”, pohon turisti tjetër.
Vizita në këtë monument, nuk mund të kalojë pa u skalitur. Të shumtë janë ata që zgjedhin të marrin një copëz të tij me vete, qoftë një suvenir, flamur apo një punim dore. E vetmja që ka një tendë e që shet sende historike në Syrin e Kaltër, tregon për Report TV, se çfarë kërkojnë të marrin më shumë pushuesit.
“Turistët e huaj më shumë kërkojnë punimet e dorës. Unë vetë punoj shumë dhe pothuajse më të shumtat e punimeve i kam të miat. Turistët marrin flamurin si simbolin dhe si shenjë që kanë qenë këtu, marrin bluza shalle, peshqir, varëse çelësash i kërkojnë t’i marrin”, shprehet tregtarja.
Alketa Isufi që prej 15 vitesh punon aty, kujton si 3 periudha të suksesshme të turizmit në këtë zonë.
“Këto javët e fundit ka pasur jo shumë por po vijnë. Janë shumë ukrainas janë shumë polak. Jam këtu që nga viti 2006, dhe nga viti 2017 turizmi ka qenë gjithnjë në rritje”, tha ajo.
Mistika dhe bukuria e këtij vendi, bën që pushuesit të sfidojnë pluhurin dhe rrugën e pashtruar. I cilësuar shpesh si gangrenë e turizmit vendas për shkak të infrastrukturës së keqe, rruga për në Syrin e Kaltër, vijon të mbetet sfilitëse për pushuesit. Siç ndodh shpesh, autoritetet kujtohen t’i kryejnë punimet në nisje të sezonit. Edhe rehabilimiti i rrugës për në syrin e Kaltër nisi në çeljen e sezonit, pasi projekti prej vitesh flinte në zyrat e administratës, shtyrë edhe nga tërmeti e pandemia.
Punimet thuhet se do zgjasin 2 muaj dhe do të kushtojnë mbi 105 milionë lekë por që nuk do të ketë korsi shtesë duke lënë sërish “dhuratë” kaosin që krijohet në park për të parkuar automjetet. Punimet nuk do të ndalojnë kalimin e pushuesve edhe pse me vështirësi.
Sa i takon tarifës, ajo nuk do të ndryshoj.
“Tarifa edhe pas punimeve rehabilituese në këtë zonë do të vazhdojë të jetë aq sa ka qenë gjithmonë 50 lekë për person. Në vitin më të mirë 2019, kanë qenë 33 mijë automjete këtu që është shumë e vështirë për tu menaxhuar duke pasur parasysh edhe kapacitet njerëzore që kemi ne këtu, por infrastruktura është një-kalimshe dhe fluksi është i lartë”, tha Lazaj.
Edhe pse duket paradoksale që zgjidhjet kërkohen në nisje të sezonit, Drejtorja e Administratës së Zonave të Mbrojtura të qarkut të Vlorës Lorela Lazaj thotë se po punohet për projekte më madhore.
“E vetmja mundësi që ne thamë se do ta zgjidhte këtë problem ishte një alternativë e re, si pista e biçikletave, apo treni elektrik që do mundësonte udhëtimin me orar të pasagjerëve ishte një ide tjetër”, pohoi drejtoresha.
Nga Dhërmiu me atmosferën që të jep shpresë për ri-ngritje pas shiut, tek madhështia natyrore e Syrit të Kaltër, edhe bregdeti i Sarandës pret krahëhapur mijëra pushues këtë vit. Bregdeti i Sarandës ka qenë gjithmonë i lakmuar, ndërsa pritshmëritë këtë vit janë përqendruar tek turistët lindor.
Investimet e bëra në këtë qytet, janë një tjetër ndihmë për zhvillimin e turizmit aty. Oferta turistike e Sarandës është larmishme, nga deti, në shëtitore, ndalur tek natyra dhe kalatë, gjithçka që pushimet të jenë të veçanta dhe të paharrueshme.
QEVERIA TE MOS LEJOJE ASNJE TE NDERTOJE PA LEJE,,DHE TE PRISHE TE GJITHA NDERTESA PA LEJE DHE QE KANE PREKUR BREZIN E RERES ,,,ASNJE NDERTESE E RE TE MOS NDERTOHET PA PATUR DISTANCE NGA BREZI RANOR 50 M...DHE TE KENE DISTANCE 50 M. NGA NJERI TJETRI..ME PISHINA PERPARA DHE PARKING MBRAPA....
Përgjigju