TURQI - Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan premtoi sot se do të mbronte deri në "frymën e fundit" procesin e paqes me rebelët kurdë të Turqisë, pavarësisht përleshjeve prokurde që kanë shkaktuar të paktën 31 të vdekur këtë javë.

"Kam vënë në rrezik jetën time për procesin e paqes. Kam vënë aty shpirtin dhe zemrën time. Dhe do të vazhdoj të luftoj për atë deri në frymën e fundit sepse di që kombi është pas meje", deklaroi Erdogan gjatë një fjalimi para mijëra mbështetësve në Trabzon.

Që prej të hënës në mbrëmje, manifestime të dhunshme përfshinë të gjithë Turqinë dhe veçanërisht pjesën verilindore me shumicë kurde, që kanë shkaktuar 31 të vdekur dhe 360 të palgosur, sipas një bilanci të ministrit të Brendshëm, Efkan Ala.

"Turqia nuk është një vend që vendos politikën e brendshme dhe politikën e jashtme në funksion të veprimeve të dhunshme të drejtuara nga banditët dhe terroristët", nënvizoi presidenti duke shtuar gjithashtu se Turqia nuk është një vend që devijon rrugën e saj nga frika e manifestimeve./ATSH/