Turqia dëshiron që të zgjidhë me dialog mosmarrëveshjen me Greqinë rreth kërkimit të naftës në Mesdheun lindor.

Ministri i Mbrojtjes në Turqi tha se Ankaraja do të mbrojë "të drejtat dhe interesat" e saj në rajon.

Turqia dhe Greqia, aleatët e NATO-s, kanë shumë kundërshtime mbi pretendimet për mbivendosjen e burimeve të hidrokarbureve në rajon, dhe tensionet janë rritur qëkur Ankaraja filloi ditën e hënë operacionet e kërkimit në një zonë të diskutueshme të Mesdheut.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian  për Punë të Jashtme dhe  Sigurisë Joseph Borrell, me anë të një postimi në Twitter deklaroi se ministrat e jashtëm të vendeve anëtare do të takohen të Premten dhe në axhendën e takimit do të jetë tensioni i marrëdhënieve greko-turke.

Greqia thotë se anija eksploruese e Turqisë Oruc Reis po operon në mënyrë të paligjshme në ujërat që bien në raftin kontinental të Greqisë, akuza që Ankaraja i ka hedhur poshtë. Anija po shoqërohej nga anijet luftarake turke në mometin që po linte portin.

"Përkundër gjithë kësaj, ne duam të besojmë se sensi i përbashkët do të mbizotërojë. Si në terren, ashtu edhe në tryezë, ne jemi në krah të ligjit ndërkombëtar, fqinjësi të mirë dhe dialog. Ne duam të arrijmë zgjidhje politike përmes mjeteve paqësore në përputhje me ligjet ndërkombëtare", tha Akar për Reuters.

Ministri Akar tha se Turqia do të vazhdojë të mbrojë "të drejtat, lidhjet dhe interesat" e saj në ujërat bregdetare. “Duhet të dihet se detet tona janë atdheu ynë blu", tha ai.