Të ardhurat për frymë në Shqipëri ndër më të ultat në rajon, EUROSTAT: Janë sa 30% e mesatares së BE

Të ardhurat për frymë në Shqipëri ndër më të ultat në rajon, EUROSTAT: Janë sa 30% e mesatares së BE

Foto ilustruese

Pavarësisht masave të ndërmarra për të ulur varfërinë, duke rritur pagat vit pas viti, përsëri Shqipëria klasifikohet tek vendet me të ardhurat më të ulëta në rajon për frymë, dhe për pasojë kanë edhe nivel të ulët konsumi.

Në vitin e vështirë të pandemisë COVID-19, EUROSTAT thotë se të ardhurat për frymë në 2020 në Shqipëri ishin sa 30% e mesatares së Bashkimit Evropian. Ndërsa sa i takon konsumit individual, ai është sa 39% e mesatares së BE-së.

Që prej vitit 2016, sipas EUROSTAT, të ardhurat për frymë në Shqipëri kanë mbetur të pandryshuara, në 30% të mesatares së BE-së.

Ndërkohë sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat për frymë në 2020 ishin në vlerën e 4.459 eurove, me një rënie prej 323 euro krahasuar me 2019. Shkaku kryesor për këtë rënie ishte pandemia COVID-19, që nxori me qindra të papunë.

Pas vendit tonë të ardhurat më të ulëta për frymë janë në Bosnje Hercegovinë me 33% të mesatares së BE-së, ndjekur nga Maqedonia e Veriut 38%, më pas Serbia 43% dhe niveli më i mirë është në Malin e Zi, sa 45% të mesatares së BE.

Ndërkohë për vitin e ardhshëm me pritshmëritë për konsolidim të rimëkëmbjes ekonomike dhe përmirësim të konsumit, qeveria parashikon rritje të ardhurave për frymë me 606 euro në vitin që vjen.

Konkretisht sipas relacionit të buxhetit 2022, të ardhurat vjetore për frymë do të arrijnë në 5,388 euro, nga 4,782 euro që u parashikua në kuadrin Makroekonomik për vitin 2021.

Ministria e Financave parashikon po ashtu që përgjatë periudhës 2022-2024, si pasojë e rritjes së të ardhurave do të ketë edhe përmirësim të konsumit. Ndikim në rritjen e konsumit do të ketë edhe rritja e pagave për disa kategori, siç janë bluzat e bardha, arsimtarët dhe mbrojtja. Sipas financave për shëndetësinë dhe arsimin rritja e pagave do të jetë 6%, dhe që efektet e saj do të nisin në 6 mujorin e dytë të vitit që vjen.

Edhe në treguesin tjetër, për konsumin individual për frymë, që mat mirëqenien familjare të familjeve, Shqipëria është sërish e fundit në Evropë, me 39% të mesatares së BE-së, përkundrejt 42% në Bosnjë-Hercegovinë, 43% në Maqedoninë e Veriut, 51% për Serbinë dhe 59% për Malin e Zi.

Sa i takon vendeve të BE-së EUROSTAT thotë se për vitin e kaluar Luksemburgu dhe Irlanda kishin nivelin më të lartë të të ardhurave për frymë.

“Luksemburgu regjistroi nivelin më të lartë të AIC për frymë në BE me 45% mbi mesataren e BE-së, i ndjekur nga Gjermania (24% më lart), Danimarka (22% më lart), Holanda (17% më lart) dhe Austria (16% më lart) . Në vitin 2020, nëntë shtete anëtare regjistruan AIC për frymë mbi mesataren e BE-së. Nivelet më të ulëta të AIC për frymë u regjistruan në Bullgari (39% nën mesataren e BE-së), Kroaci (32% më poshtë), Hungari dhe Letoni (të dyja 30% më poshtë) dhe Sllovaki (29% më poshtë). Gjatë tre viteve të fundit, AIC për frymë në raport me mesataren e BE-së ka ndryshuar në shumicën e Shteteve Anëtare. Një rritje e qartë u regjistrua në Rumani (80% e mesatares së BE-së në 2020 krahasuar me 74% në 2018), e ndjekur nga Danimarka (122% kundrejt 117%), Polonia (83% kundrejt 78%), Hungaria (70% kundrejt 65%), Lituania (95% kundrejt 91%) dhe Bullgaria (61% kundrejt 57%). Në të kundërt, uljet më të dukshme u regjistruan në Spanjë (85% në 2020 kundrejt 92% në 2018) dhe Luksemburg (145% kundrejt 152%), e ndjekur nga Malta (81% kundrejt 86%), Irlanda (90% kundrejt 95%), Greqisë (74% kundrejt 78%) dhe Italisë (96% kundrejt 100%)”, thuhet në raportin e Eurostat.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Elbasani në festë, titulli i Kategorisë së parë ndez qytetin! Tifozët në rrugë

Elbasani në festë, titulli i Kategorisë së parë ndez qytetin! Tifozët në rrugë