Të ndalohet me ligj shitmendja institucionale në mediat sociale

Të ndalohet me ligj shitmendja institucionale në mediat sociale

Ndërkohë që kryeministri i vendit po parapërgatit shqiptarët për krizën më të thellë energjitike në vite, kur sipërmarrje, familje, bëjnë llogaritë për një dimër të vështirë me pandeminë ende mes nesh, me familjarë nëpër çadrat e tërmetit, me ndërtues e punëtorë që nxitojnë tullë mbi tullë, të mbyllin sa më shumë çati, që i ftohti i thellë të gjejë sa më shumë bashkëatdhetarë brenda dhe në të ngrohtë, për disa prej nesh jeta nuk është edhe aq e vështirë. Ndoshta aspak. Apo të paktën kështu duket.

Një kategori e caktuar e administratës shqiptare nga një gala në tjetrën, nga një priemerë në tjetrën, nga një agriturizëm në tjetrin, nga një hotel në tjetrin, nga një seminar në tjetrin, nga një pritje ambasade në tjetrën, shpalos para shqiptarëve, jo vetëm shkëlqimin e tejskajshëm të energjisë elektrike, por edhe fustanin, kostumin, çantat, orët, bizhuteritë më të reja, sipas rastit, duke mos i parë dy herë me të njëjtën veshje. Duket se frika e krizës, pagjumësia për të çuar përpara llogaritë e familjes a të ndërmarrjes, nuk prek disa shërbëtorë të shtetit.

Të pranishëm vetëm në të parën fare ditë aktivitetesh, nuk i sheh aspak, ose fare pak në ato ditët e tjera kur duhet të blihet bileta, apo ku nuk ekziston koktejli, apo telekamerat, apo fotografët nuk ndodhen. Kjo ushtri e administratës është aty, për shkak të detyrës, të bëjë një punë në shërbim të shtetit e jo t’ua pëllcasë në sy shqiptarëve që rrezikojnë t’i shohin edhe në ditët më të ftohta e më problematike që mund të vijnë në këtë dimër.

Gabimisht, kam nxituar edhe unë ndonjëherë të publikoj foto nga ndonjë aktivitet ambasadash apo priemierash ku kam qenë e ftuar për shkak të punës, por tërmeti, pandemia, vështirësitë që po kalojmë dhe përgatitemi akoma të përballojmë, sikur na kanë ndryshuar, sikur na kanë mësuar të publikojmë atë që mund të jetë në prekshmërinë e të gjithëve: Natyra dhe çdo gjë tjetër që e paguajmë me mundësitë reale që secili prej nesh ka. Nuk është etike të publikohet luksi, qoftë dhe nga persona të pasur e të mundur ekonomikisht, mendoni sa e shëmtuar kur kjo shpalosje hareje e dëfrimi bëhet nga administratorët e vendit më të varfër të Ballkanit e të Europës.

Mendohet dhe urohet se dekorata prestigjoze e mandatit të tretë të kuptohet si një peshë përulje, thjeshtësie e pune, jo si një superprivilegj për të shijuar falas këngëtaren më ekskluzive, kuzhinën e më të talentuarve, premierën e premierave e të gjitha këto, t’iu hidhen përnatë, përjavë, përmuaj, prej disa kohësh në sy shqiptarëve. Sa s’është vonë, e sa nuk kanë nisur të pëllcasin zemrat, shitmendja institucionale, do të ishte me vend, të ndalohej.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë