TIRANË - Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë të zhvilluar të premten në orën 7.00 të mëngjesit, Kryeministri Edi Rama vendosi të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme edhe në qytetin e Laçit, përveç Tiranës e Durrësit, duke thënë se bie dakord me kërkesën dhe shqetësimin e kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Kjo do të thotë se edhe të prekurit në këtë qark do të kalojnë në planin e emergjencës për strehim dhe ndihmë financiare. "Mirëkuptoj opinionin e kryetarit të opozitës, se Laçi përfshihet në këtë perimeter. Në këtë rast na përputhen shqetësimet dhe idetë. Ne sot duhet të përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program”, tha Rama teksa zgjodhi Blendi Çuçin si drejtuesin kryesor për qarkun Durrës për punën pas fatkeqësisë së tërmetit dhe u shpreh se fjala e tij është urdhër për të tjerët.
Kryeministri Edi Rama mblodhi qeverinë mëngjesin e sotëm në orën 07:00 për të bërë publik një bilanc paraprak të dëmeve nga tërmetet, por edhe për të folur rreth procesit të ndihmave që kanë dhënë shqiptarët anembanë botës me vlera monetare për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kryeministri falenderoi ekipet shqiptare të grup shpëtimit, të cilat nuk ishin njohur më parë me përballimin e një fatkeqësie kaq të madhe natyrore sa ajo që Shqipëria kaloi, me dhjetëra të vdekur nga tërmeti, dhe tashmë këto skuadra do të pajisen me mjetet e nevojshme por edhe me programe trajnimi me të huajt.
“Është krijuar ideja se gjithçka nisi kur erdhën ekipet ndërkombëtare, por unë mund t’ju them me shumë krenari se përshtypjet për njerëzit tanë kanë qenë mbresëlënëse nga ana e skuadrave që erdhën. Kjo ishte eksperiencë e madhe për kërkim-shpëtimin dhe tani, njësinë tonë kemi mundësi ta ngremë 100 % në nivelin e të tjerëve në aspektin e pajisjeve, por edhe me programet e përbashkëta të trajnimit. Edhe për urgjencën mjekësore shqiptare kanë qenë fantastike, nuk e kishin menduar kurrë italianët se Shqipëria kishte këtë nivel urgjence”, tha kreu i qeverisë.
Kryeminsitri tha se ka filluar puna për pastrimin e hotspoteve në Durrës dhe Thumanë. "Është bërë shembja e godinave të rrezikshme në Thumanë, ku ishim mbrëmë deri vonë. Po ashtu edhe në Durrës ka nisur puna për pastrimin e gërmadhave, ku nuk ka më operacion kërkim-shpëtimi”, tha shefi i mazhorancës.
VIDEO/Mbledhja e tretë e jashtëzakonshme e qeverisë
Të gjithë të prekurit nga tërmeti do të akomodohen në hotele. Kryeministri Edi Rama tha se askush në zonat urbane nuk do të qëndrojë në çadra apo në ambiente të tjera, si palestra shkollash etj. Të gjithë - tha kryeministri - do të qëndrojnë në hotele. Ndërkohë, në zonat rurale, kryeministri kërkoi bashkëpunimin e Ministrisë së Mbrojtjes me inspektorët e huaj për të marrë masat që të vendosen çadra të posaçme në zonat rurale. Kjo, në mënyrë që banorët të mos shkëputen nga jeta e tyre, me bujqësi, etj.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi frymën solidare të shqiptarëve dhe të huajve, dhe ndihmat e shumta financiare që ata kanë dhënë për të prekurit nga tërmeti. Shefi i mazhorancës tha se do të bëhen të gjithë vlerësimet për të mos humbur asnjë qindarkë, dhe për të nisur menjëherë nga puna nga ndërtimi i shtëpive të reja për ata që mbetën pa çati mbi kokë.
"Vetëm nga dy sipërmarrës të mirënjohur shqiptarë Behgjet Pacolli dhe Shefqet Kastrati janë 2.5 milionë euro. Bankersi ka dhuruar 1 milionë euro..e kompani të tjera janë të gatshëm ta bëjnë këtë më siguri. Nuk janë derdhur në bankë dje apo nuk mund të derdhen sot për shkak të bankave të mbyllura. Por një shumë e verifikuar me transaksione është 5 milionë euro, dhe 1.5 milionë dollarë.
Qoftë ato me figura bankare qoftë ato të dhënat e portalit e-Albania ku ka një numër shumë të madh donatorësh të vegjël që janë ata që dua t'i falenderoj të parët, nga brenda dhe jashtë vendit", tha Rama.
4.5 milionë dollarë - tha Rama - janë mbledhur nga llogari vullnetare të hapura nga qyutetarë në Facebook dhe nga shoqatat. Ai bëri edhe një thirrje për kujdes ndaj personave që mashtrojnë në këtë situatë, siç ishte një person nga Lezha që u arrestua dje nga policia për shkak se mblidhte donacione në emër të kryeministri Edi Rama. "Adresa më e sigurtë është adresa shtetërore në e-albania", tha ai.
Kryeministri Edi Rama tha se në 2020-ën do të jenë ndërtuar të gjitha shtëpitë për të prekurit nga tërmeti, banesat e të cilëve u dëmtuan duke i lënë në qiell të hapur. Kryeministri Edi Rama kërkoi të ketë në do të një situatë të apartamenteve të mbetura stok në Tiranë dhe në qytetin e Durrësit për të parë nëse banorët që sot po akomodohen në hotele të kenë shtëpitë e tyre në ato apartamente të mbetura stok në kryeqytet dhe Durrës, pra apartamente të pa shitura. Në mbledhjen e qeverisë, Rama kërkoi që të vihet në kontakt me sipërmarrësit përkatës për të vlerësuar situatën e apartamenteve stok. Kryeministri tha se pallatet dhe shtëpitë e shembura në Thumanë do të ndërtohen në Tiranë.
"Duhet të mbarojë stoku i apartamenteve në Tiranë dhe Durrës, na duhet kjo urgjent. Na duhet sipërmarrësi përkatës, situata e apartamenteve, që janë bosh fare, të pabanuara, apo kanë orendi brenda. Kjo na duhet urgjentisht. Se kjo do të jetë në diskutimet e para në Komitetin Kombëtar të ndërtimit. Nuk është e mençur të ndërtojmë pallatet në Thumanë që të gjitha ashtu si ishin.
Janë njerëz të pashaportizuar në Tiranë, është më mirë t'i sjellin në Tiranë, nga 4 pallate mund të ndërtojmë një pallat në Thumanë. Dhe kështu racionalizojmë një proces. Nuk i kthejmë dot jetën atyre që një fat më misterioz në dorën e një force tjetër, zoti natyra vendosi...por kemi detyrë që atyre që humbën shtëpinë t'i japin kushte më të mira seç kishin", tha Rama.
Shefi i mazhorancës tha se ditën e nesërme, të shtunën, qeveria do të mblidhet sërish për të marrë një vendim të rëndësishëm. Një paketë ndihmë të drejtpërdrejt për personat që humbën të afërmit e tyre në tërmetin e së martës.
"Nesër dua të marrim vendimin e parë për familjet që kanë humbur njerëz. Duhet të jenë të listuara me anëtarë familje, sa të moshuar kanë, sa fëmijë kanë, sa të rritur në punë, dhe për ta nesër duhet një paketë speciale e drejtpërdrejtë. Nesër", theksoi ai.
Duke marrë parasysh situatën e rënduar edhe psikologjike që vijon pas tërmetit të së martës, kryeministri Edi Rama tha se u duhet garantuar të gjithë të prekurve nga tërmeti që këto ditë t'i kalojnë me të gjitha shërbimet e nevojshme. Rama tha se të gjitha ilaçet për personat me sëmundje kronike do të paguhen nga shteti. "Askush nga ata nuk do paguajë ilaç, me emra dhe në çdo dhomë, edhe me garancinë që për çdo gjë që kanë nevojë nga pikëpamja shëndetësore ne jemi në dispozicion", tha Rama.
Në çdo hotel ku janë duke u akomoduar të dëmtuarit, kryeministri Rama tha se do të ketë mësues ndihmës për fëmijët. Ndërkohë që të gjithë personave që u duhet të shkojnë në punë në qytetet e tyre larg hoteleve ku janë duke qëndruar nga shteti, do t'u paguhet karburanti për lëvizjet me makinë.
"Çdo ministër do të marrë në patronazh nga një zonë ku po strehohen, si një kujdestar konvikti me një ekip për të garantuar mbarëvajtjen e çdo gjëje. Do u paguajmë rrugën për të shkuar në punë", tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se është shqetësim i përbashkët si i liderit të opozitës Lulzim Basha, situata në Laç pas tërmetit, e për këtë, Rama tha se ka vendosur që edhe ky qark të kalojë në planin e emergjencës. Kështu, Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme edhe në Laç, përveçse në Tiranë dhe Durrës.
"Ne e kemi diskutuar me shqetësim. Ka dëme edhe në Laç, kanë dalë nga godinat dhe janë nëpër çadra, do të trajtoheshin njësoj të përfshihen në vendimin e perimetrit të emergjencës. Duke konsideruar edhe opinionin e kryetarit të opozitës them që na përputhen shqetësimet edhe idetë. Përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program që askush të mos ndihet i vendosur në një kategori të dytë të vëmendjes", tha Rama.
Rama tha se detyrën për të monitoruar të gjithë situatën e gjendjes së jashtëzakonshme e merr ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi. "Ministri i Bujqësisë merr drejtimin e plotë të operacionit - komisar i plotfuqishëm që ka mandat të plotë nga qeveria për të dhënë gjithë urdhrat dhe për të marrë në kohë reale përgjigje nga të gjitha institucionet. Është barrë plus për ministrin prandaj do i kërkoja një angazhim më të madh zv.ministrave përkatës të mbulojnë një boshllëk", u shpreh shefi i mazhorancës.
Rama iu ka ndarë detyrat disa prej ministrave të kabinetit të tij qeverisë, lidhur me situatën e jashtëzakonshme
"Sfida e ministrit të Diasporës, Pandeli Majko është të mbajë ndezur të gjitha kanalet e komunikimit me botën jashtë, ndërsa ministri i Jashtëm, Genti, të mbajë ndezur kanalet e komunikimit me të gjithë shqiptarët. Edhe unë vetë kam kërkuar vëmendje për Shqipërinë nga jashtë, por kjo nuk bëhet me një letër".
Zv.ministres së Kulturës i kam kërkuar të përgatisë dosjen e parë të fotove dhe të fakteve nga terreni për të kërkuar mbështetje. Është bërë gati materiali, por duhet bërë një dosje shumë dinjitoze, që ta dorëzojmë te liderët, institucionet, donatorët, sipërmarrësit, që të informohen. Të gjithë që jeni ulur këtu në tavolinë jeni të detyruar të jenë në këmbë dhe në funksion të drejtuesit të operacionit. Mandati i Çuçit është fuqiplotë dhe për këtë temë ai është ministri fuqiplotë, të gjithë të tjerët janë në funksion. Çuçi është komisar fuqiplotë, duhet të ndiqen të gjitha ato që kërkohen, një për një", tha Rama.
Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Rama bëri një bilanc paraprak të banesave dhe pallateve të dëmtuara, edhe pse një bilanc paraprak që pret të marrë formë edhe me ardhjen e ekspertëve të huaj. "Ekipet e para të inspektorëve grekë teknikë vijnë sot, për të bërë analizë dëmesh së bashku me ekspertët tanë në mënyrë që mos të marrë kohë të gjatë në raport me numrin e madh të pallateve me numrin e vogël të ekspertëve të ndërtimit. Do të ketë turk, francezë, e një sërë ekipesh të tjera që do të vijnë në mbrëmje ose nesër", u shpreh kryeministri.
Paraprakisht:
Në Durrës janë 701 banesa të dëmtuara, 12 të shkatërruara totalisht, 176 pallate të dëmtuara.
Në Tiranë, janë 15 të banesa shkatërruara, 239 banesa të dëmtuara, 8 pallate jashtë funksionit, 61 pallate të dëmtuar rëndë.
"Ky bilanc kërkon të plotësohet në mënyrë që askush të mos mbetet jashtë bilancit", tha Rama.
Në Tiranë janë 3480 persona pa shtëpi. 1 mijë janë të akomoduar në 5 qendra private, të tjerët në çadra dhe tek të afërmit.
Në Elbasan janë akomoduar 209 persona, ndërsa në Durrës 625.
Kreu i qeverisë tha se do të mblidhet Komiteti kombëtar i ndërtimit për të gjithë këtë proces, ndërsa tha se do të ishte i lumtur që pjesë e këtij komuniteti të ishte edhe opozita, qoftë në aspektin financiar, qoftë edhe atë teknik.
"Do të ishim të lumtur të ishte edhe opozita qoftë sa i përket aspektit financiar, qofte dhe teknik. nuk kemi çfarë ndajmë në këtë aspekt përveçse nevojën e përbashkët për të bërë më të mirën për njerëzit. Nuk është komision i reformës zgjedhore, as komision dekriminalizmi, as i ndarjes së engjëjve dhe djajve. Këto janë komisione për ditët me diell në këtë ditë pa diell në këtë punë që do të vazhdojë e pa cënuar nga jeta e përditshme politike që nuk diskutohet së shpejti do të rifillojë se shenjat e para janë dhënë, është mirë të jemi bashkë, është mirë të punojmë bashkë", tha Rama.