Ty, vogëlushja ime perëndeshë...

Ty, vogëlushja ime perëndeshë...
 
       Unë të dëshiroj...
 
 Po, ty, vogëlushja ime perëndeshë...
Që të njoha strukun në pasqyrën tande
Tuj shkru andrra t'bukura t'nji kohë tjetër
Tek buzëlot’je ndër dhambë të mrame
Uraganin... me kolona... në Femër
 
Ty, ty, vogëlushja ime perëndeshë...
Si jeta fatet e veta, e unë gabimet e mija
Të kam dëshiru, përgjithmonë...
Sikur , “ndonjëherë”, t’mos egzistonte pa ty
Sikur “atëherë”,hanën rrethuam ndër gishta
 
Ta dua t’kuqen edhe kur merr frymë
Ta dua frymën kur me t’kuqë ma fal
Edhe ato gropëzat e vogla që i qesh ti botës,
Guralecë diamanti porsi rrugicat e Shkodrës
Që t’pikojnë si kafe, nga yjet n’faqen e drejtë
 
Të dua nervat,  të dua çmenduritë
Të dua nesër edhe ma shumë se sot...
Edhe prap ma shumë...
Ato duar si çarçafë të z'blum  për mu
Sa dua larg, ato t’më puthin pa m’pyt
 
Të dua ardhjet, të dua largimet...
Ata dy sy, ku mbërrij me i besu edhe vedit...
O sa dashuroj të shihem në to...për'jetë
Edhe nëse për'jetë do bahej e ndalume,
përtej do mundja, përjetë me të dashtë...unë ty
 
e në emër të lumtunisë dëshmitare t'përpiktë...
ajo ç'ka unë jam,
m'bet'të  e dashuruar me ty... deri në qiell... !
 
 
 Per sytë e zi
 
Ave sytë e tu, yjet e mi,
Dete krahëdiell buzëflakë
Gjurmët tona e të lira mbi ranë
Kontratë me qiell për sy
 
Paqja ime, ata sytë, e zi
Lumenj të varun ndër dritare
Numrojnë pafund frymët
Lundrojnë symbyllë lumnitë
 
Thellë thellë, ata sy me ty
shpërbajnë dheun shije hi',
pa kalu lotin tand suprem
me m’berritë, deri lot't e mi
 
Ah, ata sytë e tu në sytë e mi ...
 
Edhe sonte po më ngjan nji natë pa qiell
...Moj dashuri
E pra, s’asht aq vonë sa hana me fike yjet...
...Por pse s’ka ma ty... ne sytë e zi të saj
 
E m’piklon në gjoks një dallgë që m’ther
Si akt i fundit, i romancës s'm'bram'e
Thyen qiellin që rritëm na t'dy bashkë
N’do copëza zemre të shpërndame,
E të shpërbame...
Për, plot secila... me ty... nëpër sy
 
Eja tash ti ngrej lotët deri në buzë
E t’msoj ku humba unë syte e tu...
Se te mi'të, e di...
Ndër sytë e tu, e të zi
...Moj dashuri
 
E kur nuk e dua ma vedin
Pse jetë e drejtë merr tren t'gabuar,
Hedh unë cekët sytë e mi
në një copëz me ty, fotografi
 
Dhe ja...
Ja ku shfaqesh Yjnore, prap ti
Tuj m'marrë frymë tuj m'fal dashni
Thellë...
Thellë në sytë e mi, ata sytë e tu
...E të zi

     “ Faleminderit qe ekziston”
 
E mbyllun ...me melodi tingujsh hyjnorë , brenda një kutie , spektër emocionesh që shpirti e zemra nuk njohin ma vehten ... asht jeta ime, këto kohë që s’dinë kur filluan sepse s’duan ma të mbarojnë ...
Ngado që të shkoj , e të sillem , e të shikjoj...një milion vende zhurma e ngjyra më bien tek nji prrallë që je ti ...
Dy yjet ma të ndritshëm të universit t’andrres teme ma t’bukur , kanë ra nga naltësia e buzëqeshjes së ëngjëjve , e të kane stolisë shikimin në ballin tand prej princeshe , me dy sy , që thyejnë heshtje, mure , malle e hije gjurmësh të mbetuna pas ...
Ti më rrezon mitet e më shemb botën që gabushem , nxitimthi ngrita për ne , pa të njoft kurre ty ...
 
Pa folë një  fjalë, me ato buzë që mjafton te lëvizin çrregullisht deri në një të qeshun rrezatuese të syve të tu , ti më jep një falje vrastare , që sheh deri në kujtesat e mia plot pluhun e pak vlera, për minifunde pa fund e fundeve pa fillim , në dredhje e përdredhje pjesezash trupore qe nuk vlejne një ankth ta kthejnë në një kujtim ...
 
Si nje fmije jetim ti me merr për dore shikimin tem plot turp , për te ma ngrit deri nalt në kthjelltësinë e kristaltë të frymës tande ...
Jetoj ... në një hapesinë me shumë aroma stinesh shpirti , që janë veç t’pranverta... ku gjethet keputen por nuk bien…
Koha ka ndal vrapin, tek unë vozis sumbyllun në qiejt mbreterorë te brishtesisë tande, deri në ylberin e fundit të këtyre lot’ve rrëke të lumtunise teme ….
 
Po jetoj në një fotografi fantazie që ti ke ngri per Mua ... për Ne
Perjete në ... ty, me ty e për ty ...amen
                                                                              
 
       Pika malli         
 
Pikë ...
pikon
mall per ty.
Lot' loti
i hanës që le jetime,
bie në fillin' ... ku gjurmët tona
...u ndan’ pergjithmonë
 
E trishtueme asht nata për andrren,
që bashkë nuk na sheh ma ...
E fikun asht dita
pa diellin
qe s'ka ma sy ku me lindë
 
Zani jot ...
nuk përkund ma gjethe,
e floket e tu kanë vetmu
eren qe llastoje neper gishta
 
Stinët mi ke lanë pa shpirt
e shpirtin pa frymë
n'prag t'buzëve
të etuna për ...
 
Pikë...
pikon mall
nga shtrëngim i fundit
i përqafimit tand
mbetun ne këmishen e rrudhun
qe ti nuk preke ma kurrë
 
"Netëve humbje në mua ...
... e mgjeseve gjehesha në ty "
...do ti mungojë Poezisë
 
Ma kot ta kerkoj vedin në një pasqyrë të re.
 
Sa herë të marr me shkund netët per me t'gjetë
sytë e tu, kan me verbu
shikimin e dy syve t’pafajshëm
që do me shohin mua ...
si te shihja une ty
 
Ah...
pikë malli
e vetmisë teme
Edhe sa do m'durosh,
a s'më thu...
 
Yjet e hana kanë ra në det sonte
 
Unë me ta po shkoj,
e dallgët le të mbushen plot...
përplot ....
me karaifila te bardhë....
 

 Një jastëk për mua e dy perde për ty
 
Hanë e këndej yje për mua
Varfni e andej  karrige për ty
 
Me gershanë në dore e gishta në arsy
sa qiell për mue po aq diell për ty
 
Unë gabohem ,të meritoj krejt botën
Ti e bindun, krejt bota, asht pak për ty
 
Dy peshore idiote,  nxitimesh pa sy
Te më matesh mua, me t’peshu unë ty
 
Sot e dje për mua, dje e sot për ty
Nesër pa mua si nesër pa ty
 
Po fotot me mue e andrrat me ty!
 
Pak kujtime me mue, shumë tjera me ty
kur më doje mua, kur s’jetoja pa ty
 
Mbas deret …
Sy t'pafajshem,
Te zi, e te zi
Te vegjel e te vegjel
Me denese,e denese
 
Tek Zoti qan e qan...
...për te dashnine  qe na kish gabuar te dy
 
 
  NJË PIKË KËTU, NJË PIKË ATJE …
 
Një pikë këtu, një pikë atje …
 
Shiu bie mbi heshtje e mbush gropat e mendimeve …
Buzëqeshjet mbyten në një pikë ujë.
Njerëz të hipur mbi premtime,
vozisin mbi pellgje fjalësh …
Erën e kanë mbarë.
 
Rrëke malli bahen dete mungese …
Lotët nuk dinë të notojnë.
Ngjyrat mshehen mas synit tek drita bjen e lagun ...
Diellin e kanë blerë genjeshtrat.
 
Për dikënd i ambël ky shi i sotëm,
si rrugët që të çojnë në dashni ...
Anijet e andrrave nuk fusin kurrë ujë.
 
Për dikënd i njelmët ky shi i sotëm, si lotë të sotmesh …
mbi të djeshme akoma të pathara.
 
Për askënd…asgja ky shi si dielli mbi të verbnin
që kërkon veç dashni.
Nganjëherë…gjithçka, nuk blen asgja.
 
Shumë të turbullta kto pika shiu,
aq sa vargjet e mia … ,
…nuk njohin ma as fjalët e veta.
 
Më turbullon ky peisazh shiu.
Një pikë këtu, një pikë atje ...
Pa e dit rrugën,
si iluzioni i lumturisë …


Shkrimi u publikua sot (09.02.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane