Rene Rexhepi është larguar nga restoranti i famshëm “Noma” pas një vale akuzash për abuzim fizik dhe psikologjik ndaj stafit gjatë viteve të kaluara.
Shefi i njohur i kuzhinës njoftoi gjithashtu se po largohet edhe nga bordi i organizatës jofitimprurëse MAD, që merret me ndërtimin e komunitetit të kuzhinierëve dhe inovacionin në gastronomi.
Debati shpërtheu sërish pasi në publik dolën rrëfime të ish-punonjësve për mënyrën si drejtohej kuzhina e Noma-s. Të mërkurën pati edhe një protestë jashtë hapësirës së përkohshme të restorantit në Los Anxhelos.
Akuzat nisën të qarkullojnë muajin e kaluar në Instagram, kur ish-punonjësi Jason Ignacio White publikoi histori të ish-kolegëve të tij. Një raport i New York Times përshkruan episode të dyshuara abuzimi nga Rexhepi mes viteve 2009 dhe 2017, përfshirë goditje, shpime me vegla kuzhine, përplasje në mur, intimidim dhe kërcënime për hakmarrje.
Në një reagim në Instagram, Rexhepi pranoi se ka bërë gabime në të kaluarën. “Një falje nuk është e mjaftueshme. Unë marr përgjegjësi për veprimet e mia”, shkroi ai, duke shtuar se drejtimi i restorantit sot është më i fortë dhe se hapja e pikës në Los Anxhelos ishte menduar edhe si një moment për të treguar ndryshimet në kulturën e punës.
Pas publikimeve, disa partnerë u tërhoqën menjëherë. American Express dhe kompania e mikpritjes Blackbird ndërprenë bashkëpunimin me Noma-n përpara hapjes së restorantit në Los Anxhelos.
Raporti i New York Times, i bazuar në intervista me 35 ish-punonjës, përshkruan një klimë të gjatë frike në kuzhinë, me ndëshkime fizike dhe presion psikologjik që përfshinte tallje publike dhe kërcënime që prekën edhe familjet apo karrierat e stafit.
Megjithatë, interesi për restorantin mbetet i lartë. Biletat për përvojën gastronomike të Noma-s në Los Anxhelos, me çmim rreth 1,500 dollarë për person, u shitën brenda vetëm tre minutash.
Rene Rexhepi ka lindur në Kopenhagen në vitin 1977. Babai i tij është shqiptar nga fshati Xhepçisht i Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Në intervista të ndryshme ai ka treguar se verat e kaluara në Tetovë dhe ushqimi i thjeshtë e natyror i zonës kanë ndikuar shumë në filozofinë e tij të gatimit.
Komente











