Më shumë e 2 vite kishin autoritetet shqiptare dhe partnerët e huaj që monitoronin çdo lëvizje për të shkuar në gjurmët e Ervin Matës, në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për trafik kokaine në dosjen “metamorfoza” Gjurmimi u përqendrua në disa shtete të Amerikës Latine, derisa në Paraguaj dhe Brazil, autoritetet ranë në gjurmët e tij. Këto hyrje-dalje të shpeshta dhe takime me grupe kriminale atje, krijuan bindjen se  mund të ishte pikërisht 39-vjeçari Ervin Mata i cili jetonte mes këtyre dy vendeve.

Autoritetet atje dërguan foto të tij, dhe Interpol Tiranë konfirmoi se i dyshuari i tyre, ishte i kërkuari nga SPAK. Në lëvizjen e fundit, Mata kishte hyrë në Brazil, prej nga nuk mundi të dalë, derisa policia atje e arrestoi.

Ai kishte dokument identifikimi nga Paraguaji, ku si vendlindje figuronte Mbretëria e Bashkuar, dokument që dyshohet se përdorej për të lëvizur më lirshëm në vendet e Amerikës Latine, i vlefshëm deri në vitin 2030. Me vete kishte edhe një pasaportë bullgare false, të skaduar në 2024-ën, si edhe një kartë identiteti po bullgare, e vlefshme deri në vitin 2029, gjithashtu e falsifikuar.

Në momentin që ra në prangat e policisë braziliane, u gjet me disa brazilianë të tjerë, të skeduar po ashtu për trafik droge. Hetuesit dyshojnë se Ervin Mata kishte ndërtuar lidhje të forta me grupe kriminale paraguaiane dhe persona të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Burimet shtojnë se Mata shoqërohej edhe me shqiptarë të tjerë atje, të cilët dyshohet se i mbante pranë për aktivitete kriminale.

Në vitin 2023, Ervin Mata u shpall në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal me 11 persona, ku përfshihej edhe djali i ish-zyrtarit të policisë, Erzen Breçani. Sipas dosjes hetimore, të cilën në atë kohë Report Tv e siguroi, grupi dyshohet për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Në veçanti, Mata akuzohet se koordinoi grupin për trafikimin e 250 kilogramëve kokainë, ngarkesë e nisur nga Brazili në aeroportit të Frankfurtit në Gjermani, në fund të shtatorit 2020.

GJKKO caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” trafik droge, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale, dhe kjo si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Ervin Mata është i njohur për drejtësinë shqiptare edhe pas përplasjes së bujshme me Ervis Martinajn, i zhdukur prej gati 4 vitesh, në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në vitin 2018, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, truproja ish-bosit të lojërave të fatit.

1777372869_ervinmata.jpg

Foto nga operacioni ku u arrestua Ervin Mata dhe disa të tjerë

------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë