Ramazan Rraja i cili u arrestua më 19 prill në Fushë-Krujë, për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja ka kërkuar lirimin. Por Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar kërkesën e Ramazan Rrajës për zbutje të masës së sigurisë.
Ramazan Rraja u arrestua në një lokal në zonën e Fushë-Krujës, ndërsa ishte me pistoletë në brez dhe fishek në fole gati për qitje. 30-vjeçari, një njeri i njohur i botës së krimit, nip i deputetit të PS-së, Rrahman Rrajës, ishte shpallur në kërkim për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Rrumit të Shijakut.
Ramazan Rraja, sipas policisë që nga momenti i shpalljes në kërkim nuk është larguar në asnjë moment në Dubai, por fshihej në trekëndëshin “Durrës-Lezhë -Tiranë”.
Në momentin e arrestimit 30-vjeçari, shoqërohej edhe nga një njeri tjetër i botës së krimit, 39-vjeçari Louis Konomi alias Elton Llozhi, i shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit për “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryer në bashkëpunim.
Në 20 janar 2023 për atentatin ndaj Ndojës u arrestuan Genti Ndërjaku alias Akil Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija. Në 22 shkurt u arrestua në Abu Dhabi Amar Dritan Shkëmbit, në kërkim për atentatin janë edhe Julian Meçaj dhe Plaurent Dervishaj.
SPAK pretendon se Ramazan Rraja, bashkë me kushëririn e tij dhe persona të tjerë kanë organizuar atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja më 1 nëntor 2019. Në atentat mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe u plagos Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.
Ramazan Rraja është pyetur nga policia në muajin tetor të vitit të kaluar, edhe për vrasjen e trefishtë të mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mes të vrarëve ishte kushëriri i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj. Ramazan Rraja ka qenë në kërkim policor për vrasjen e trefishtë të mbikalimit të Fushë-Krujës për t'u marrë në pyetje, por në atë kohë nuk është gjetur. Në muajin tetor, pasi është kthyer nga jashtë është paraqitur personalisht dhe më pas është lënë i lirë.
Kujtojmë se Rraja po ashtu, në 2021 u shpall në kërkim pasi hyri i maskuar e i armatosur në një lokal. Ramazan Rraja po ashtu më herët u arrestua në Belgjikë dhe Gjermani për drogë.