TIRANË- Gazetari Elio Laze, drejtues i portalit “Priza” u la në masë arresti me burg nga Gjykata e Tiranës, i dyshuar se i mori 5 mijë euro një punonjësi të administratës publike, për të fshirë një shkrim që kishte publikuar me fakte të pavërteta, siç pretendoi Klaus Shaqiri, zyrtari që e denoncoi në polici.
Para togave të zeza, Laze, doli hapur më një qëndrim që shkon përtej misionit të gazetarit, dhe pranoi se jo vetëm merr para për të fshirë artikuj, por se edhe për të bërë një shkrim, paguhet.
Siç burime për Report Tv thonë, para togave të zeza të Gjykatës penale të Tiranës, Elio Laze pretendoi se paratë që u merrte subjekteve të caktuara, i kishte të firmosura me kontratë mes palëve, dhe të deklaruara në bankë.
Kjo në fakt, do të qëndronte vetëm në rastet kur në shkrimet e paguara shënohen qartë dhe me transparencë “reklamë”, apo material i sponsorizuar.
“Është aktivitet i ligjshëm. Është shërbim i ligjshëm i regjistruar në QKB. Siç paguhem për të bërë shkrime paguhem edhe për t’i hequr”, mësohet të jetë shprehur Laze.
Por në rastin konkret, Elio Laze akuzohet se mori 5 mijë euro, për të hequr jo një reklamë, por një lajm, ku akuzonte zyrtarin në Inspektoratin Shëndetësor Shtetëror, Klaus Shaqiri se është i përfshirë në platformat mashtruese FOREX dhe në pastrim parash, të miqve të tij, një prej të cilëve ishte edhe deputeti Belind Këlliçi.
Policia e arrestoi në flagrancë pronarin e portalit “Priza” në zyrën e tij në Tiranë me 5 mijë euro, të cilat ia dha pikërisht Klaus Shaqiri.
Për këtë episod, Laze u mbrojt para gjykatës, me tezën se Shaqiri, i la një zarf, pa ditur se ç’kishte brenda.
Por sipas dosjes të Prokurorisë të cilën Report Tv e lexoi, takimet mes Lazes dhe zyrtarit kanë nisur prej vitit 2024, kur për herë të parë gazetari pronar publikoi shkrim në portal kundër zyrtarit.
Nga ajo kohë, Klaus Shaqiri ka deklaruar se ishte nën presion se, nëse nuk do të jepte një shpërblim, që nga 40 mijë euro u ul në 20 mijë, ndaj tij do të vijonin të publikoheshin shkrime denigruese me natyrë penale. Kështu, kur i njëjti shkrim i 2024-ës, u rishfaq online më 19 janar të 2026-ës, Elio Laze nisi të kërkojë sërish para për ta hequr. Por në këtë rast, duke deklaruar se edhe miq të tij i kishin kërkuar ta hiqte shkrimin, i ofroi zyrtarit të paguante sa të dëshironte.
Sipas dosjes së Prokurorisë, për t’i dhënë fund shantazhit, Klaus Shaqiri bëri denoncim më 23 janar të këtij viti, dhe bashkëpunoi me hetuesit, për t’i dorëzuar gazetarit 5 mijë euro, të regjistruara me numër serie.
Veprat penale për të cilat akuzohet gazetari Elio Laze, janë “shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie” dhe “mashtrimi” të cilat dënohen nga 2 deri në 8 vite burg. Sipas përfaqësuesit të akuzës, caktimi i një mase më të butë sigurie mund të rrezikonte hetimin për shkak të mundësisë së prishjes së provave apo ndikimit tek dëshmitarët.
Elio Laze është arrestuar edhe në 2021-shin me armë pa leje dhe nën efektin e lëndëve narkotike. Madje, edhe kur policia e arrestoi gazetarin 37-vjeçar në zyrën e ti më 12 shkurt 2026, i gjetën 1 gram hashash.
Komente









Baben e nenen i ke zotri mor plere Po ti drogaxhi kujt i ngjave mashtrus e bixhozxhi Turp Se nga ke marre ti sikur ke ngja nga komshiu
PërgjigjuPo ai qe e komandonte këtë, Ted Malaveci ai qe shiste të dhënat e TIMS-it pse nuk merret i pandehur bashkë Me këtë qelbëesirë, apo i mbron Bussnesmeni A.D???