44-vjeçari Lorenc Bami, i cili u arrestua një ditë më parë për ndërhyrje me fadromë në shtratin e lumit Vjosa, më parë ka qenë shef i urbanistikës gjatë kohës që bashkia e Tepelenës drejtohej nga Tërmet Peçi.

Sipas Policisë, ngjarja u konstatua të premten në vendin e quajtur "Gallaticë", në fshatin Vasjar të Memaliajt, ku shërbimet kanë evidentuar ndërhyrje me fadromë në shtratin e lumit Vjosa, zonë e mbrojtur mjedisore.

Bami u vu në pranga, ndërsa një tjetër, Andi Hasani, nën hetim, për veprën penale "Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore", ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Në pretendimet e tij, Bami thotë se ka kontribuar për një ujësjellës, nëpërmjet burimit nën shtratin e lumit Vjosa, nga i cili zona të tëra do të furnizohen me ujë pas tri dekadash.

Ai pretendon se inspektorët e zonave të mbrojtura i kanë kërkuar ryshfet, por ai ka refuzuar dhe ata e kanë kallëzuar për kanosje.

Ndërkohë, Peçi, i cili sot është deputet, është denoncuar në SPAK nga demokrati Arben Ristani për shpërdorim të fondeve IPARD.

Sipas avokatit të tij, Bami prej kohësh nuk ka më asnjë kontakt me ish-eprorin. Në qershor, Prokuroria e Gjirokastrës pushoi ndaj tij akuzën e goditjes për shkak të detyrës.