TIRANË- Ish-zyrtarja Alda Klosi është shtruar në spital një ditë pasi u arrestua nga policia nën akuzën për pastrim parash dhe fshehje pasurie. Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi mëson se Alda Klosi ka shfaqur probleme kardiake dhe është dërguar në spital që prej ditës së djeshme.

Ndërkohë që ditën e nesërme pritet që të zhvillohet seanca për masën e sigurisë dhe ende nuk dihet nëse zyrtarja do të paraqitet. Prokuroria do të paraqesë sot kërkesën në gjykatë për masën ‘arrest me burg’ për Klosin, ndërsa do jetë gjyqtari Arben Mico i cili do të vendosë për masën e sigurisë.

Arrestimi i Klosit erdhi pasi pastruesja Rozeta Dobi që vodhi paratë në shtëpitë e saj pranoi të bëhet e penduara e drejtësisë, duke pranuar për herë të parë se edhe 400 mijë eurot e gjetura në tubin e aspiratorit të shtëpisë së saj, i përkasin zyrtares Alda Klosi, ish shefe kabineti e ish-ministrit Arben Ahmetajt. Pra në total Dobi pretendon se ka marrë nga shtëpia e Klosit 520 mijë euro plus sendet me vlerë. Kjo dëshmi e saj, ka bërë që Policia e Tiranës t’i vërë pranga zyrtares Alda Klosi mbrëmjen e së premtes, ndaj së cilës rëndojnë 3  akuza, ajo e ”pastrimit të parave”, “mosdeklarimi i pasurisë” dhe deklarim i rremë para policisë”. Dëshmia e pastrueses, ka tjetërsuar të gjithë historinë që ishte raportuar deri më tani, ku nga grabitje siç u fol më herët, tani më bëhet fjalë për një inskenim të ngjarjes.

Rozeta Dobi ka treguar se ka bashkëpunuar me Alda Klosin duke e inskenuar si grabitje, pasi zyrtarja ka dashur që t’ia hidhte fajin ish-bashkëshortit, me të cilin pas ndarjes kishte pasur konflikte. Rozeta thotë se me Alda Klosin kishin një marrëdhënie shoqërore me njëra-tjetrën, që kishte filluar që nga koha kur ajo kishte nisur që të punonte në shtëpinë e saj. E pikërisht për shkak të kësaj marrëdhënie të mirë shoqërore, sipas Rozetës, Alda i ka thënë që të marrë mijëra eurot nga kasaforta, t’i fshihte në shtëpinë e saj dhe të gjithën ta inskenonte si grabitje. 

Ajo që është më e fortë në dëshminë e pastrueses, është fakti që sipas Rozeta Dobit, në shtëpinë e zyrtares Alda Klosi vinin para me çanta gjatë gjithë kohës, por është shprehur se nuk e njeh personin që i sillte ato. Nga ana tjetër, Alda Klosi në dëshminë e saj pak pas arrestimit ka mohuar që të ketë pasur marrëdhënie shoqërore me pastrueses e saj, Rozeta Dobi.

Policia ka dyshime për të dyja dëshmitë. Kjo sepse ka dyshime se Rozeta Dobi mund të ketë dalë në këtë alibi për t’ia hedhur fajin zyrtares, për të shpëtuar pozitat e djalit të saj, Havier, edhe ky i fundit i arrestuar. Ashtu sikurse me rezerva merret edhe dëshmia e zyrtares, e cila i qëndron deklaratë së saj se është “e pafajshme”dhe se "paratë ishin të familjes së xhaxhait të saj që rrinte në Amerikë, i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer" .

Deri më tani për këtë ngjarje që ka tronditur opinionin publik, janë vënë në pranga Rozeta dhe Havier Dobi (nënë e bir), të arrestuar në janar 2023, si edhe zyrtarja Alda Klosi, së cilës iu vunë prangat dy ditë më parë.  Mbetet për t’u parë nëse çështja do të mbetet në Prokurorinë e Tiranës, apo do t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), meqenëse Klosi ka mbuluar funksione të larta në administratë. Deri më tani Prokuroria e Tiranës, thotë për Report Tv se hetimi është kompetencë e tyre.

Çfarë kishte marrë nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi në shtëpinë e Alda Klosit: 
7 Janar
Në njoftimin e parë të bërë nga policia datë 7 janar, thuhet se Rozeta Dobi së bashku me djalin e saj kanë vjedhur në shtëpinë e Alda Klosit shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro. Gjatë kontrollit të banesës së nënë e bir, janë gjetur 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura.

8 Janar
Në vijim të këtij operacioni, në 8 janar, policia bëri një njoftim të dytë ky deklaroi se në shtëpinë e Rozeta Dobit janë gjetur dhe sekuestruar edhe 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri. Në njoftim nuk specifikohet se këto para i përkasin Alda Klosit, por ka qenë dëshmia e pastrueses e cila ka konfirmuar se i ka marrë te shtëpia e saj.