Shkolla e Mesme e Bashkuar “Mersin Duqi” në Ibë të Poshtme në Bërzhitë, do të rihapë dyert në shtator, pas rindërtimit të plotë nga dëmet e tërmetit.

Lajmin e konfirmoi kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila inspektoi punimet nga afër duke theksuar se shkolla tashmë ofron kushte moderne dhe të sigurta për nxënësit.

“Ajo që ka dalë nga investimi i rindërtimit të shkollës së vjetër është një hapësirë moderne me ajër të kondicionuar, me palestër moderne, me të gjitha lehtësirat, laboratorët, hapësirat cilësore, klasat plot me dritë, por edhe hapësirat rekreative për nxënësit, qofshin ata të shkollës 9-vjeçare apo të shkollës së mesme, pasi kjo është një shkollë e mesme e bashkuar”, deklaroi Anuela Ristani.

Sipas saj, punimet do të përfundojnë përpara nisjes së vitit të ri shkollor dhe nxënësit do të rikthehen në klasa në shtator. Ristani bëri të ditur gjithashtu se po shihet mundësia për të shtuar shërbime parashkollore në zonë, si kopshte dhe çerdhe.

“Shkolla do të jetë e gatshme dhe patjetër me fillimin e vitit shkollor do të nisin të gjithë me shpresën që do të rritet edhe numri i nxënësve që do ta frekuentojnë, duke parë gjithashtu dhe mundësinë për të shtuar në zonë edhe shërbimet parashkollore, kopshte apo çerdhe”, përfundoi Rsitani.

Shkolla është rindërtuar duke rritur ndjeshëm kapacitetin, nga rreth 185 në 390 nxënës. Ndërtesa përfshin standarde të larta sigurie, dalje emergjence, sistem mbrojtjeje nga zjarri dhe akses për persona me aftësi të kufizuara.

Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në zonën e Bërzhitës.