TIRANE- Ministria e Brendshme njofton se do të vazhdojë hetimet për kërkimin e dy shtetasve të deklaruar si të zhdukur një ditë më parë, në qytetin e Vlorës, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Edhe pse familjarët e dy personave të denoncuar në datat 5 dhe 6 tetor të këtij viti si të zhdukur kanë kërkuar tërheqjen e denoncimeve, pasi sipas tyre të dy personat janë gjetur në rrethin e Korçës, ministria e Brendshme do të vijojë hetimet.

Në një njoftim shtyp, ministria e Brendshme thekson se “pavarësisht pretendimit të familjarëve të këtyre personave, Policia e Shtetit nuk e ka hequr masën e kërkimit për Edmond Osmënaj dhe Gaqo Gjinin, masë e cila do të jetë në fuqi deri sa ata të paraqiten vetë, apo të shoqërohen nga uniformat blu pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje”.

JA NJOFTIMI PËR SHTYP I MINISTRISË SË BRENDSHME:
Në datë 05.11.2013, rreth orës 20:00, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë është paraqitur shtetasja Violeta Osmënaj, banore e qytetit të Vlorës, e cila ka denoncuar zhdukjen e bashkëshortit të saj Edmond Tofik Osmënaj, i datëlindjes 10.02.1956, lindur dhe banues në Vlorë. Një ditë më pas, në datë 06.11.2013, ora 10:00, në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, është paraqitur shtetasi Kristaq Gjini, banues në Vlorë,vëllai i shtetasit Gaqo Jorgji Gjini, i datëlindjes 18.03.1980, i cili ka denoncuar zhdukjen e këtij të fundit. Menjëherë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë janë marrë këto masa:
1. U bë shpallja në kërkim policor për të dy personat e deklaruar të humbur;
2. U njoftuan Drejtoritë e Kufirit në Vlorë dhe Durrës;
3. Janë pyetur të afërmit e të humburve si dhe janë mbajtur kontakte me të gjitha burimet e informacionit,prej të cilave janë siguruar të dhëna lidhur me lëvizjet e të dy personave gjatë ditëve të fundit. Nga verifikimet dhe kërkimet e bëraka rezultuar se shtetasi Edmond Osmënaj është larguar nga Shqipëria në Itali nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Porti Vlorë me tragetin e linjës Vlorë Brindisi më datë 02.11.2013, ora 13:37, në mynyrë të rregullt.

Sipas deklarimeve të bashkëshortes, ajo ka kontaktuar nëpërmjet telefonit për herë të fundit me Eduart Osmënaj ditën e hënë më datë 04.11.2013 në orët e pasdites, gjatë kohës që ai ndodhej në Itali. Pas këtij momenti familja nuk ka patur kontakte me këtë shtetas. Ndërsa Gaqo Gjinin, sipas deklarimeve të vëllait të tij është larguar nga Radhima para tre ditësh duke u thënë familjarëve se do të dilte për peshkim. Nga ky moment nuk ka pasur më kontakte me familjarë të tij.

Rreth mesditës së datës 06.11.2013, familjarë të të dy personave të deklaruar të zhdukur (konkretisht vëllezërit e Edmond Osmënaj dhe Gaqo Gjini) kanë telefonuar në sallën operative të Policisë së Durrësit dhe atë të Vlorës duke thënë se të dy personat janë gjetur në rrethin e Korçës dhe se kërkonin që të tërhiqnin denoncimet për zhdukjen e tyre. Pavarësisht pretendimit të këtyre personave, Policia e Shtetit nuk e ka hequr masën e kërkimit për Edmond Osmënaj dhe Gaqo Gjinin, masë e cila do të jetë në fuqi deri sa ata të paraqiten vetë, apo të shoqërohen nga uniformat blu pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë për të sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)