Kryetari i bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, ka reaguar për herë të parë pas dënimit të tij me 1 vit burg. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, ai është shprehur se e ka të rëndë të flasë dhe e quan veten “të burgosur politik”.
Memolla thotë se lufta e tij nuk mbaron me kaq dhe do të përdorë çdo mundësi për ta fituar çështjen deri në Strasburg. Ai ka shprehur keqardhjen për fjalët se burgosja e tij ka ardhur nga radhët e PS duke theksuar se krah tyre ka fituar pesë palë zgjedhje dhe mohon të ketë pasur sulme personale.
Memolla thotë se do të kishte ndihmuar gjithnjë këdo që është në nevojë, pavarësisht pozicionit të tij. Ai shton se pavarësisht etiketimeve që mund t’i vendosen, është udhëhequr nga dëshira e mirë dhe dinjiteti.
Në fund, i është drejtuar familjes duke u thënë se duhet të rrijnë me kokën lart dhe është veçse një sfidë.
“Miqtë e mi, t'ju flas tashmë në cilësinë e një ish kryetari është normale, por në cilësinë e një të burgosuri politik me apo pa të drejtë sigurisht që është e rëndë.
Së pari, falenderoj me zemër çdo mik/e, shok/shoqe, koleg/e, mbështetës/e, qytetar/e dhe familjarë për mbështetjen e pakufijshme që më keni dhënë nga dhjetori i vitit 2020 e deri më sot, bashkë kaluam sfida përtej asaj çfarë mendonim se ishim të aftë të përballonim, por sot fjalët për të përmendur arritjet tona mendoj që janë të tepërta pasi kush ka pasur sadopak besim dhe dëshirën e mirë, ka parë transformimin dhe 'luftën' e pastër që të gjithë bashkë kemi bërë krah për krah për të bërë më të mirën për qytetin tonë.
Së dyti, kushtet në të cilat flas nuk janë absolutisht ato që prisja nga vetja ime dhe nga drejtësia për të cilën kam luftuar fort, por mesa duket tentakulat e gjyqtarëve kundërshtarë politikë, shtrihen më gjerë sesa besimi dhe forca që ka drejtësia e re, ama lufta ime nuk mbaron këtu, do përdor çdo mundësi ta fitoj të drejtën time deri në Stasburg.
Së treti, fjala merr dhenë më shpejt se era dhe përveçse flitet se këtë situatë e kam "peshqesh" nga kundërshtarë politikë, nuk më pëlqen aspak ideja që diskutimi zgjerohet duke thënë që "peshqeshi" vjen nga radhët e Partisë Socialiste, qoftë brenda qytetit apo më lart.
Miqtë e mi, me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama në krye, në Rrogozhinë, kemi fituar pesë palë zgjedhje, qytetarët na besuan plot pesë herë për aq kohë sa kam qenë drejtues apo kandidat, nëse do të kishte sulme personale, askush s'do më kishte lejuar të ushtroja këtë "pushtet" me të gjithë ju përkrah nëse punët do ishin ndryshe nga çfarë janë, unë jam socialist dhe i tillë do të mbetem dhe ju duhet të siguroheni që me ose pa mua të qëndroni të bashkuar, mos lejoni as kundërshtarët politikë dhe as njëri-tjetrin që t'ju distancojë nga qëllimi final, këto s'janë vetëm fjalët e një të burgosuri, por janë fjalët e dikujt që njeh çdo rrënjë, degë apo gjethe të familjes së madhe socialiste.
Së katërti, sulmet personale, politike madje edhe familjare, kanë qenë të njëpasnjëshme që në momentin që kam futur këmbët në zyrën e kryetarit të bashkisë Rrogozhinë dhe kam pasur bindjen që janë normale, por të sulmohem dhe të burgosem sa kam ndihmuar dikë në nevojë, e kam shprehur dhe do ta them sërish...sa herë të kem mundësi t'i qëndroj pranë dikujt në vend që ta "gjunjëzoj" përballë vështirësive të jetës, çdo herë do kisha bërë të njëjtën sjellje për ta ndihmuar, qoftë kjo për energjinë elektrike apo nevoja të tjera jetësore. Kryetarllëku ikën e vjen, po dashtë Zoti jeta do të jetë shumë më e gjatë sesa kaq.
Së pesti, do të ketë plot që do të mërziten sikundër do të jenë të shumtë dhe ata që janë gëzuar për gjendjen ku ndodhem, kam dy fjalë edhe për këtë...ndoshta do quhem i korruptuar, ndoshta hajdut, ndoshta i pabesë, ndoshta zaptues i asaj karrigeje, ndoshta do të përflitem që mora apo lashë stafetë kur ndërkohë aty vendoset ai që populli dhe drejtuesit mendojnë të aftë, ndoshta quhem si dikush që i ka rënë dikujt kot në qafë, mund të hidhet vrer mbi mua apo dhe ndaj familjes time, këto janë fjalë që do të thuhen qofsha unë më i miri apo më i keqi drejtues që ka qenë në krye të atij institucioni, por dëshira e mirë dhe të kem dinjitetin tim të paprekur kanë qenë gjithnjë udhëheqësit e mi kryesorë.
Së fundmi, qyetarëve u uroj përzemërsisht të kenë shëndet, mbarësi dhe dashuri në familjet e tyre.
Mbështetësve i them besojnë fort që më e mira është përpara, fati bëri një lojë tjetër me mua dhe vendosi që të vuaj dënimin në një institucion për të cilin u bë "molla e sherrit" në "kulmin" e karrierës sime por siç kuptuam edhe atëherë, fundi mund të jetë afër, por shpresa për më mirë nuk ka asnjëherë fund. Vazhdoni të besoni dhe të luftoni për idealet tuaja, pavarësisht pengesave që do dalin para.
Dhe e fundit edhe më e rëndësishme, i them familjes dhe të afërmve të mi që të rrijnë me kokën lart, Edisoni juaj është i burgosur por nuk është kriminel, Edi juaj as nuk ka vrarë, as nuk ka prerë dhe as nuk ka vjedhur, ju s'keni gabuar askund ndaj mos u mërzisni, është thjesht një sfidë tjetër të cilën do ta kalojmë të gjithë bashkë me miq e shokë zemre pranë.
Për të gjithë...nuk është një lamtumirë por vetëm një mirupafshim për një kohë të caktuar, zoti ju bekoftë!
Me respekt, Edison Memolla!”, shkruan ish-kryetari.
Memolla u dënua për korrupsion në zgjedhje, pasi SPAK zbuloi një bisedë të tij kur kandidonte në zgjedhjet e pjesshme vendore të marsit 2022, me elektricistin e OSHEE Blerim Xhamani.
Memolla i kërkoi elektricistit të mos i ndërpresë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që të votonte në favor të tij në zgjedhje.
Edison Memolla i fitoi zgjedhjet e 6 marsit 2022, të cilat u mbajtën për shkak se paraardhësi i tij ishte ndarë nga jeta. Memolla u konfirmua sërish në zgjedhjet e rregullta vendore një vit më vonë, më 14 maj 2023.
Procesi u përsërit disa muaj më vonë për shkak të kundërshtimit të opozitës për rezultatin dhe ai u rikonfirmua kryetar më 23 korrik.
Me dënimin me formë të prerë, Edison Memolla e ka humbur mandatin e kryebashkiakut dhe Rrogozhinës i duhet të shkojë sërish në zgjedhje. Sipas procedurës ligjore, Këshilli i Ministrave do të duhet ta shkarkojë Memollën dhe më pas i hapet rrugë zhvillimit të zgjedhjeve të reja. Memolla do të vuajë dënimin në burgun e Rrogozhinës.
Komente












