Gazetari Elton Tozaj denoncon në polici se në derën e banesës ka gjetur një bidon me benzinë dhe një sasi të lëndës djegëse të përhapur në tokë.
Sipas deklarimeve të tij në komisariat, gazetari Tozaj pretendon se lënda djegëse i është vendosur në formë kërcënimi nga persona si të dyshuar të lidhur me paligjshmëri, që ai pretendon se i ka denoncuar publikisht me emra.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjte rreth orës 04:30, në një pallat në rrugën “Haxhi Deliu” në Tiranë, ndërkohë grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Kujtojmë se më herët, në datën 26 dhjetor të vitit të kaluar, gazetari Tozaj është dhunuar në mënyrë barbare në autostradën Tiranë-Durrës.
Familjarët e tij ato ditë, përmes një reagimi në rrjetet sociale të gazetarit, bënë me dije se personat që e kishin dhunuar ishin identifikuar, ndërsa gazetari ishte në luftë për të mos humbur shikimin.
Madje ata i kanë bërë thirrje edhe një vajze të njohur të shoëbizit shqiptar, por pa dhënë emra, “që të sqarojë se çfarë e lidh atë vajzë me trekëndëshin Rruga Ura – Patok – Kodra e Diellit”.
Krahas reagimit ata publikuan atëherë një foto të gazetarit, ku dallohej fytyra e tij e gjakosur dhe syri i dëmtuar.
Komente







