Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) duhet t’i shohë gazetarët e vërtetë dhe korrektë si një garanci e punës së tyre të mirë dhe të drejtë, jo si një kërcënim, apo si një entitet që duhet shmangur dhe kufizuar. Por, në studimin dhe në rregulloren e Kreut të kësaj Gjykate, Erion Bani, nuk ndjehet kjo dëshirë, përkundrazi perceptohet qartazi një frikë dhe si rrjedhojë, një tundim për censurë dhe cënim. E gjitha përkthehet në: Obobo t’i mbajmë gazetarët sa më larg dhe sa më të zhveshur nga mjetet e tyre të punës! Por njërëzit e Drejtësisë nuk mund të sillen me gazetarët siç është sjellë me ta politika.
Ndoshta reagimi në studimin e Kreut të GJKKO-së mund të gjejë një justifikim në “namin” dhe perceptimin që opinioni publik, përfshi këtu dhe institucionet, kanë krijuar në këto vite për një formë “gazetarie” që është infiltruar në Shqipëri: Gazetaria e shantazhit, e shpifjeve, e pastrimit të parave, e bashkëpunimit me krimin e organizuar. Kjo lloj gazetarie frikëson këdo. Nëse gazetarë që gjejnë hapur dyer të gjykatave, arkivave, dokumentave, bëjnë lojëra të rrezikshme me krimin duke e favorizuar atë, duke manipuluar fakte dhe opinionin publik, kjo është alarmante dhe e rrezikshme për punën e prokurorëve, gjykatësve, por edhe të gazetarëve vetë. Por kjo gjëndje nuk duhet të na bëjë të dorëzohemi as ne si media, as prokurorët dhe gjyqtarët e Drejtësisë së re. Nuk mund të futen të gjithë gazetarët dhe të gjitha mediat “në një thes” dhe nuk është zgjidhja e një Shteti të drejtë dhe transparent të mbajë vëzhgimin demokratik dhe të duhur të medias larg punës së Drejtësisë.
Ashtu si vite e vite me radhë mediat denoncuan prokurorët dhe gjykatësit-sheikë dhe mbështetën njerëzit e drejtësisë korrektë, duke mos i futur të gjithë “në një thes”, Drejtësia duhet të bëjë punën e saj duke nxjerrë në dritë të vërteta për “gazetarët” që mbajnë gjallë dhe ushqejnë sistemin e shpifjes, manipulimit dhe të devijimit të fakteve me qëllime favorizimi të krimit apo të korrupsionit në Shqipëri. Dhe të dy bashkë, duhet të biem dakord që këta “gazetarë” të dalin nga sistemi njëherë e mirë, siç ndodh në çdo vend demokratik.
Thënë kjo, Gjykatës të GJKKO-së, prokurorë të Spak dhe gazetarët e pastër e profesionistë që në Shqipëri nuk janë pak, duhet të ecin krah për krah; nuk mund të konsiderohen armiq. Drejtësia e Re po ndërton shtyllën e saj kurrizore të fortë e të drejtë në përpjekje të vështira dhe të përditshme kundër atyre që asnjëherë nuk e kanë dashur këtë ditë, por, nuk duhet mohuar se pjesa e shëndoshë e Medias shqiptare ka luftuar fort gjithashtu në vite për ta arritur këtë, duke ruajtur integritetin dhe profesionalizmin pavarësisht baltosjes së qëllimtë. Prandaj, ajo rregullore cënuese dhe penalizuese nuk duhet të qëndrojë dhe nuk duhet të ekzistojë për Median dhe as për avokatët në sallat e gjyqit në GJKKO. Duke mbështetur të drejtat e shtyllave të Demokracisë, të kontrollit e të vetëkontrollit, së bashku mund të arrijmë të harmonizojmë një Shtet që deri më sot ka ecur i çalë. Shkopinjtë në këmbët e gazetarëve nuk mund të vendosen nga njerëz të drejtësisë që pikërisht nga gazetarët u ndihmuan të heqnin ato shkopinj që Drejtësia shqiptare për vite e vite me radhë kishte nga politika jo vetëm në këmbë, por edhe në kokë.











Komente
Komento