Foto: Hoteli Flar

Report Tv ka siguruar dëshminë e kamerierit që u dhunua nga djemtë e pronarit të hotelit ‘Flar’ në Golem. 18-vjeçari Genti Nela ka treguar se ka filluar punë si banakier në hotelin “FLAR”, në zonën e Malit të Robit në 10 korrik të këtij viti, ku thekson se për nisjen e punës ka biseduar me biseduar me Florian dhe Arbër Habilaj.

Në dëshminë që Report TV disponon, 18 vjeçari thotë se në 27 gusht u ka kërkuar pagën, pasi kishte vendosur të largohej pasi do të punonte diku tjetër, por largimi i tij nuk është pranuar.

“Në momentin që i kam thënë këtë, të pranishëm kanë qenë Florian dhe Arbër Habilaj, Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha. Ata nuk e kanë pranuar largimin tim nga puna dhe fillimisht më kanë sharë.

Floriani më ka goditur i pari me grusht, ndërsa Arbëri më ka goditur me një tavëll qelqi në kokë dhe në ftyrë. Jam goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Mariglen Mosha më ka mbajtur dhe më ka penguar të largohesha. Ata më kishin bllokuar rrugën dhe vazhdonin të më godisnin.

Gjatë kohës që më godisnin, më kanë kërcënuar vazhdimisht se do të më vrisnin. Duke u ndjerë në rrezik dhe për t’u mbrojtur, kam marrë një gotë qelqi dhe kam goditur Florianin në kokë. Kam goditur edhe me grushte, me qëllim që të largohesha prej tyre.

Pas kësaj kam arritur të largohem me vrap, por jam ndjekur nga të katër personat, të cilët më kanë bllokuar përsëri rrugën dhe më kanë goditur sërish”, ka thënë ai.


Lajmi kryesor:

VIDEO/ Grushte pa pushim, momenti kur dhunohet kamerieri nga pronarët e hotelit në Golem! I riu: Kërkova pagën, më kërcënuan se do të më vrisnin