Dy vëllezër shqiptarë të dënuar për vrasje janë arrestuar në Itali, duke i dhënë fund një arratie të gjatë që zgjati mbi dy dekada.
Bëhet fjalë për Artur Mehilli dhe Arben Mehilli të dënuar me 32 vjet burgim për vrasje, që u kapën falë bashkëpunimit në kohë reale mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane.
Ngjarja e rëndë ku ata janë të përfshirë lidhet me një konflikt gjakmarrjeje.
Më datë 12.09.1999, në Lushnjë, dy vëllezërit Mëhilli vranë, për motive gjakmarrjeje, personin me inicialet R. M., i cili në vitin 1997 kishte vrarë vëllanë e tyre me inicialet S. M.
Pas kryerjes së krimit të gjakmarrjes, 60 vjeçari dhe 54 vjeçari u larguan për në Itali duke përdorur pasaporta me gjeneralitete false. Sipas të dhënave të policisë, Artur Mehilli përdorte identitetin Artur Davidhi, ndërsa Arben Mehilli përdorte emrin Arben Gjermeni.
Nëpërmjet këtyre pasaportave, ata arritën të siguronin dokumentet e nevojshme për qëndrim në Itali.
Në vitin 2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Lushnjes i dënoi ata për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Artur Mëhilli u dënua me 15 vjet e 6 muaj burg ndërsa Arben Mëhilli me 16 vjet e 6 muaj burgim.në vitin 2001.
Më pas të dy u shpallën në kërkim ndërkombëtar.
Zbulimi i tyre vite më vonë erdhi falë përdorimit të teknologjisë së avancuar “Facial Recognition”, tashmë në dispozicion të Interpol Tiranës, që bëri të mundur identifikimin biometrik pas një pune intensive hetimore.
Tashmë pritet ekstradimi i dy vëllezërve drejt Shqipërisë, ndërsa bashkëpunimi mes autoriteteve vijon për finalizimin e procedurave.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
"Kapen në Itali, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane, dy vëllezër të dënuar për vrasje.
Në vitin 1999, në Lushnjë, vranë me armë zjarri shtetasin që kishte vrarë vëllanë e tyre.
Vëllezërit, të dënuar me 32 vjet burgim, kishin siguruar leje qëndrimi në Itali duke përdorur identitete false.
Identifikimi i tyre është rezultat i përdorimit të teknologjisë “Facial Recognition”, tashmë në dispozicion të Interpol Tiranës.
Në kuadër të operacioneve ndërkombëtare të njëpasnjëshme, të finalizuara si rezultat i bashkëpunimit dhe besueshmërisë së strukturave të Policisë së Shtetit ndaj homologëve dhe partnerëve evropianë, Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, siguruan informacion për vendndodhjen në Itali, të dy vëllezërve të dënuar për vrasje.
Informacioni u shkëmbye mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, me koordinimin e Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit.
Si rezultat, u arrestuan në Itali shtetasit Artur Mehilli, 60 vjeç, dhe Arben Mehilli, 54 vjeç.
Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2001, i ka dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, konkretisht:
-shtetasin Artur Mehilli, me 15 vjet e 6 muaj burgim;
-shtetasin Arben Mehilli, me 16 vjet e 6 muaj burgim.
Më datë 12.09.1999, në Lushnjë, dy shtetasit vranë, për motive gjakmarrjeje, shtetasin R. M., i cili në vitin 1997 kishte vrarë vëllanë e tyre, shtetasin S. M.
Të arrestuarit, pas kryerjes së krimit, janë larguar në Itali duke përdorur pasaporta me gjeneralitete false (shtetasi Artur Mehilli përdorte gjeneralitetet Artur Davidhi, ndërsa shtetasi Arben Mehilli përdorte gjeneralitetet Arben Gjermeni), nëpërmjet të cilave kishin siguruar dokumentet e nevojshme për qëndrim në Itali.
Identifikimi i tyre u mundësua si rezultat i një pune intensive, duke përdorur teknologjinë më të fundit të identifikimit biometrik “Facial Recognition”, nga specialistët e Drejtorisë së Interpolit.
Vijon bashkëpunimi me homologët italianë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të dy shtetasve, në Shqipëri"
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente







