TIRANE-Policia e Shtetit ka përjashtuar efektivin e komisariatit nr. 3 që u filmua duke bërë skena të turpshme më një vajzë, sikur duket në videon e publikuar nga Shqiptarja.com. Pas publikimit të rastit, policia e shtetit thekson se nisi hetimin disiplinor dhe përjashtoi efektivin, i cili është M. K. punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3.

"Pas publikimit të një videoje ku shfaqet një punonjës policie që ka shkelur rëndë Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, duke cenuar imazhin e Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për të filluar menjëherë hetimin disiplinor.

Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe DVP Tiranë, pas verifikimeve të kryera dhe hetimit të bërë, identifikuan punonjësin e Policisë, i cili është shtetasi M. K, punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3. Për këtë punonjës u bë pezullimi nga detyra dhe u mor masa e përjashtimit nga Policia e Shtetit, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit dënon ashpër veprime të tilla që cenojnë imazhin e Policisë tek qytetarët dhe fton cilindo që të denoncojë çdo rast të cenimit të figurës së punonjësve të Policisë apo të abuzimit me detyrën, duke u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm" deklaron policia e shtetit.

videon e dërguar në redaksi, që më pas Shqiptarja.com e publikoi shfaqet polici që qëndron në timonin e makinës së policisë së shtetit dhe nuk nguron të bëjë skena të turpshme me një vajzë duke mos u shqetësuar se është në orarin e punës dhe i veshur me uniformën e Policisë së Shtetit, që i kushtoi përjashtim nga struktura.