Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pasi u përzu mbrëmjen e sotme nga protesta dhe u detyrua të fytej përmes Lanës për t’i shpëtuar sulmeve të protestuesve të maskuar.

Përmes një video-mesazhi Balliu shprehet se është e vërtetë që ka pasur një përballje dhe janë sulmuar disa qytetarë.

Ai thotë se incidenti ishte i mirëorganizuar nga Qeveria dhe Policia, duke përdorur sipas tij aktivistë të partisë Lëvizja Bashkë të Arlind Qorit, të cilët sipas tij janë në shërbim të mazhorancës.

Teksa shprehet se qeveria socialiste është në ditët e saj të fundit, Balliu thekson se nuk ka skemë të kryeministrit Edi Rama që ta ndalojë të përballet me qeverinë.

Reagimi i Klevis Balliut:

Me zhurmën e fundit mediatike të mediave të qeverisë, më duhet të sqaroj sa vijon. Sot rreth orës 5 nga selia e PD-së kamë denoncuar dhunën e tmerrshme e kriminale nga Policia e Shtetit kundër studentëve. Kjo erdhi si rrjedhojë e një reagimi të detyrueshëm nga deklaratat e turpshme të Dhimitraq Ziut, i cili kërkonte të fshihte aktet kriminale të Policisë kriminale të Edi Ramës ndaj studentëve. Së dyti, është e vërtetë që patëm një incident të mirëorganizuar nga operacionalja e Policisë së Dhimitraq Ziut, Skënder Hitës, Ilir Prodës, Ergys Agasit dhe të gjithë banditëve të tjerë, të cilët përdorin aty partitë e Qorrave që sillen si opozitarë, por janë në shërbim total të mazhorancës dhe Edi Ramës.

S’ka diskutim që njësoj si gjithë të tjerët ata do të marrin përgjigjen e merituar, siç kanë marrë shpesh herë çdo bandit që ka dhunuar dhe ka guxuar të përplaset me qytetarët e lirë të këtij vendi. Nuk është e vërtetë që më kanë goditur. Është e vërtetë që kemi patur një përballje dhe që janë sulmuar qytetarë në atë moment. Por e padiskutueshme që nuk ka skemë të Operacionales, të Edi Ramës, apo të Qorrave që do të vihen para përgjegjësisë, që do mund të më ndalojnë mua, PD-në apo cilindo demokrat që të mbështesin me të gjitha fuqitë studentët që po përballen me narko-regjimin e Edi Ramës. Nuk ka diskutim që kjo është një betejë e fituar dhe që Rama është në ditët e tij të fundit. Vazhdojmë përpara me studentët deri në fund.


Lajmi kryesor:

VIDEO/ Protestuesit përzënë demokratët, Klevis Balliu përfundon në Lanë, ia mbath me të katërtat për t’i shpëtuar gurëve! Rrethohen nga të maskuarit