LEZHË- Policia e Lezhës ka vënë në pranga Luan Zabatën 41-vjeç, pasi gjatë ndalimit nga efektivët për një kontroll, për të shmangur arrestimin e tij u ka nxjerrë pistoletën efektivëve.
Policia ka ndaluar gjatë një kontrolli në Shëngjin, 41-vjeçarin banues në Shkodër, për të cilin ka kërkuar që t’i kryhet testi i alkoolit për shkak të sjelljeve të tij të çuditshme. Në atë moment, ai ka kundërshtuar kryerjen e veprimeve procedurale duke nxjerrë një armë zjarri që mbante me vete dhe ua ka drejtuar punonjësve të Policisë, me qëllim që të largohej dhe të shmangte arrestimin.
‘Ndërhyrja e menjëhershme dhe profesionale e shërbimeve të Policisë, ka bërë të mundur neutralizimin e menjëhershëm të shtetasit L. Z., i cili pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me fishekë në fole, e gatshme për qitje, që mbahej pa leje nga ky shtetas.’- njofton policia.
Luan Zabata u arrestua për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.