Prokuroria e Tiranës kërkon masën e sigurisë arrest me burg për gjashtë të arrestuarit dy ditë më parë, mes të cilëve ishte edhe një ish-ushtarak,
pasi u kapën me rreth 27 kg kanabis.
 
Fatmir Haka, Ylber Tahiri, Fatjon Hoxha, Valter Dedndreaj, Urim Haka dhe Arben Metaj u arrestuan nga policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Agimi”, si dhe ju sekuestruan përveç lëndës narkotike edhe dy armë, një automatik dhe një pistoletë.
 
Personat e sipërpërmendur pritet që të martën paradite të dalin para gjykatës së Tiranës, ku do të njihen me masën e sigurisë ndaj tyre dhe akuzën e armbajties e trafikut të narkotikëve.
 
Dinamika e aksionit sipas Prokurorisë së Tiranës
 
Rreth orës 09:40, në rrugën pranë banesës së shtetasit Fatmir Haka është konstatuar një automjet tip BMW ngjyrë gri me targa “AA xxx BX ” me drejtues mjeti shtetasin Fatjon Hoxha dhe në vend të parë të pasagjerit në kërë automjet ndodhej shtetasi Valter Dedndreaj.
 
Ky automjet, së bashku me personat hyri në banesën e shtetasit të lartë përmendur dhe porta e oborrit të kësaj banese është hapur nga ana e shtetasit Fatmir Haka. Pasi automjeti tip BMW hyri në oborrin e kësaj banese, porta është mbyllur përsëri nga ana e shtetasit Fatmir Haka.
 
Pas rreth 4-5 minutash, nga banesa kanë dalë shtetasit Fatmir Haka dhe Ylber Tahiri dhe po qëndronin në këmbë përpara portës dhe po shikonin nga rruga.
 
Në këtë moment, nga ana e policise është ndërhyrë për të bërë bllokimin e tyre, të automjetit tip BMW si dhe të personave të tjerë që ndodheshin brenda kësaj banese.
 
Në momentin që eshte afruar policia, përpara portës së banesës, shtetasit Fatmir Haka dhe Ylber Tahiri janë larguar me vrap në drejtim të një fushe ngjitur me banesën, të cilët janë ndjekur nga ana e policise dhe janë kapur disa metra larg banesës.
 
Në oborrin e kësaj banese, është gjetur automjeti tip BMW ngjyrë gri me targa “AA xxx BX” e ndezur dhe në sediljen e shoferit ndodhej i ulur shtetasi Fatjon Hoxha, ndërsa në sediljen e parë të pasagjerit ndodhej i ulur shtetasi Valter Dedëndreaj, ndërsa në këmbë përpara këtij automjeti ndodheshin shtetasit Urim Haka dhe Arben Metaj.
 
Gjatë kontrollit të automjetit tip BMW me targa “AA xxx BX”, në bagazhin e saj ndodheshin 4 (katër) thasë lini me fije plastike ngjyrë e bardhë, ku brenda tyre ndodheshin qese të zeza plastike të mbushura me bimë ngjyrë jeshile në gjendje të thatë me erë dhe karakteristika si ajo e bimës narkotike e llojit Cannabis Sattiva, ndërsa tëk këmbët e pasagjerit në sediljen e parë është gjetur një qese plastike me ngjyrë të zezë, ku brenda saj kishte bimë ngjyrë jeshile në gjëndje të thatë me erë dhe karakteristika si ajo e bimës narkotike e llojit Cannabis Sattiva .
 
Në sediljen e pasme të këtij automjeti, mbrapa serdiles së parë të pasagjerit (në krahun e djathtë), ndodhej një armë zjarri automatike Model 56 e kalibrit 7.62 mm pa qyt, së bashku me një karikatore me 27 (njëzetë e shtatë) fishekë luftarak të kalibrit 7.62 mm.
 
Po kështu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Fatmir Haka janë gjetur dhe sekuestruar dy peshore dore njëra me ngjyrë blu, ndërsa tjetra me ngjyrë të zezë me mbishkrimin “PORTABLE ELECTRONIC SCALE ”, një peshore elektronike fikse me ngjyrë të zezë me mbishkrimin “AVEC”.

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)