Gjykata e Tiranës la në burg pa afat vëllanë e ish-shefit të qarkullimit Rrugor në Dibër, Pajtim Aga dhe 6 të arrestuarit e tjerë, që u kapën me kanabis pak ditë më parë në një operacion në disa qytete. Nga shtatë të arrestuarit, Shkëlzen Mazari ka pranuar akuzat duke thënë s "droga është e imja". Por si u zbulua grupi dhe cilat janë përgjimet që 'gozhdojnë' trafikantët? Gjithçka ka nisur nga Pajtim Aga, që u vendos në hetim vitin e kaluar si i dyshuar në lidhje me një shpërthim eksplozivi në Dibër, por më pas nga përgjimet është zbuluar trafiku i drogës. Por si bëhej ai? Pasi transportohej nga Greqia, lënda narkotike në formë çokollate fshihej në shtëpinë e Paulin Dodajt dhe Marsida Piperit në Gjirokastër, që bashkëjetonin. Në një nga telefonatat, njëri nga anëtarët e grupit i thotë Pajtim Agës se "çantat i lashë atje, kur mund të vij të marr 200 euro?" duke nënkuptuar trafikun. Ndërsa Pajtim Aga i thotë se "Hajde merri lekët në Tiranë". Operacioni u zhvillua në disa qytete, ndërsa njëri prej të arrestuarve shpërndante drogën u kap në autobus, raporton gazetarja Xhensila Kodra.
Gjykata la në burg;
Edmond Rajta
Pajtim Aga
Shkëlzen Mazari
Devis Mija
Fatjon (Paulin) Dodaj
Marsida Piperi
Arjet Halilaj
Prokurori Robert Kote është shprehur se është pikërisht përgjimi prova më e fortë dhe procesverbali i lëndës narkotike prej 32.5 kg kanabis në formë çokollate. Pajtim Aga është vëllai i ish-shefit të qarkullimit në Dibër, Robert Aga, emri i të cilit doli pak kohë më parë në përgjimet e gazetës gjermane “BILD”. Robert Aga u shkarkua nga detyra pas arrestimit të të vëllait. Pajtim Aga është pjesë e grupit me 7 të arrestuar që u godit. Ata merrnin lëndë narkotike të llojit “Cannabis sativa në formë çokollate” në Greqi dhe e sillnin në Shqipëri përmes pikë kufitare të Konispolit, nëpërmjet dy personave në Gjirokastër. Me pas lënda narkotike transportohej në qytetin e Tiranës, me qëllim për t'u nisur më vonë në një qytet në veri të vendit dhe për t'u trafikuar jashtë Shqipërisë. Gjatë operacionit u sekuestruan 32.5 kg lëndë narkotike canabisa sativa në formë çokollate, 6 aparate celulare dhe 2 automjete.