Policia ka pezulluar efektivin e policisë, Fabiol Hasaj i cili ditën e djeshme u konfliktua me punonjësin e një biznesi në zonën “Malajziani” në kryeqytet.
Konflikti nisi pasi punonjësit e një lokali i kërkuan efektivit të largonte makinën e parkuar pranë ambientit të tyre.
Në funksion të hetimit, Fabiol Hasajt iu bllokua arma e shërbimit, tip pistoletë “TT”, me të cilën kanosi punonjësin.
Në pamjet e kamerave të sigurisë dukej momenti kur polici i nxjerr armën e shërbimit djalit me të cilin u konfliktua, teksa të pranishëm kishte persona të tjerë, përfshirë edhe 2 gra.
Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.02.2026, në lagjen Laprakë, Njësia Administrative nr. 11, Tiranë, te pallatet malajziane, ku punonjësi i Policisë, Nënkomisar F. H., me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore në DVP Kukës, për motive të dobëta, u konfliktua me shtetasin D. H., të cilin dyshohet se e ka kanosur me armën e shërbimit, informojmë se:
Menjëherë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit e ka pezulluar nga detyra punonjësin e Policisë, Nënkomisar F. H., dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor.
Gjithashtu, në funksion të hetimit, punonjësit të Policisë iu bllokua arma e shërbimit, tip pistoletë “TT”.
Po në lidhje me këtë rast, ka kryer veprime hetimore e procedurale Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka referuar materialet procedurale Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kanosja”.
Fabiol Hasaj rezultonte i punësuar në Policinë e Tropojës.
Për AMP, ai deklaroi se ka qenë rastësisht në vendngjarje dhe nuk i njihte personat më përpara. Sipas tij, fillimisht ka pasur frikë se mos i marrin armën dhe ka reaguar duke e nxjerrë nga brezi.
Komente












