Michele D’Angelo, profesori italian i biologjisë në Universitetin e L’Aquila është zyrtarisht i pandehur në Shqipëri. Ai do të gjykohet në Fier për dy akuza “Shkelja e rregullave të  qarkullimit rrugor dhe largimi nga vendi i aksidentit”. Prokuroria e Fierit sot ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në gjykatë.

Organi i akuzës e cilëson profesorin italian përgjegjës për aksidentin ku humbi jetën 17-vjeçari Elidon Shehaj dhe u plagosën 3 të tjerë.

Aksidenti i rëndë u shënua pasditen e 8 gushtit në Qafën e Koshovicës, në aksin nacional Levan-Fier.  Dyshohet se D’Angelo që lëvizte me Lancia i preu rrugën Benzit që drejtohej nga Egli Sholla. Prokuroria thotë se shkelja rrugore që ka kryer i pandehuri është determinante në ardhjen e pasojave të rënda.

Po kështu është larguar nga vendi i ngjarjes, duke iu shmangur përgjegjësisë penale. Më pas profesori është vetëdorëzuar në polici ku qëndroi në paraburgim për më shumë se dy muaj.

"Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim procedimin shtetasin M.G., shtetas i huaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ parashikuar nga neni 290 pg.4 i Kodit Penal dhe ‘Largimi nga vendi i aksidentit’ parashikuar nga nenit 273 i Kodit Penal.

Nga hetimet i kryer mbi procedimin penal nr.1207, datë 10.08.2025, në bashkëpunim me policinë gjyqësore u arrit të provohet se, në datë 08.08.2025, rreth orës 20:00, në aksin rrugor Fier- Levan, automjeti me targa të huaja, i drejtuar nga i pandehuri M.D., u përfshi në një aksident rrugor me automjetin tip “Mercedes Benz” të drejtuar nga shtetasi E.SH.

Automjeti që drejtohej nga i pandehuri M.D., është larguar nga vendi i ngjarjes, duke iu shmangur përgjegjësisë administrative dhe asaj penale. Si pasojë e kësaj ngjarjeje, ka humbur jetën shtetasi i mitur E.Sh, është plagosur rëndë shtetasi F.T., si dhe janë plagosur lehtë shtetasi i mitur K.D dhe drejtuesi i automjetit tip “Mercedes Benz”. Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga i pandehuri M.D. janë vlerësar se kanë qenë determinante në ardhjen e pasojave", njoftoi Prokuroria e Fierit. 

Profesori italian e fitoi lirinë në muajin tetor përkundrejt garancisë 15 mijë euro, ndërsa tashmë do të duhet të kthehet serish në Shqipëri, për tu përballur me akuzat në gjykatë.