Në hyrje të sallës së seancave plenare deputeti Agron Shehaj, kreu i Partisë Mundësia, tentoi të futej me dhunë në Kuvend, teksa u përplas me punonjësit e Gardës së Republikës.
I dënuar me 30 ditë përjashtim nga Kuvendi 22 qershorin e kaluar, Shehaj llogariste 30 ditë kalendarike e pretendoi se kjo masë i kishte përfunduar të mërkurën dhe duhet të hynte në seancën e kësaj të enjteje. Ai vetë por edhe deputeti i tij Erald Kapri akuzuan mazhorancën se kanë frikë prej tij.
Por Agron Shehaj fshihte dy ditë nga dënimi i tij që lidhen pikërisht me rregulloren e Kuvendit, 48 orët e pezullimit për shkak se ai vetë kishte ankimuar dënimin. Këtë e sqaroi për mediat edhe kreu i grupit parlamentar socialist.
“Është dënuar më 22 qershor për 30 ditë dhe vetëm 2-3 ditë më parë ka depozituar kërkesën në Byro për rishqyrtim. Me ndryshimet e reja të rregullores, kur dorëzohet kërkesa për rishqyrtim, afatet pezullohen. Pra, 48 orët e shqyrtimit nuk llogariten brenda 30 ditëve, por afati shtyhet në 32 ditë. Kush merr pak vesh nga afatet, e kupton këtë. Ai është një delirant. Afati i mbaron nesër. Kryetari i Kuvendit dhe shërbimet ia kishin bërë të qartë sqarimin, i kishin thënë se afati i përfundon të premten. Po meqë do marrim vëmendje, aty s'na lënë se hamë ndonjë vezë, hajde se po shtyhemi", tha Balla.
Në seancë plenare çështjen e sqaroi edhe vetë kryetari i Kuvendit.
Por as këto sqarime, që i kishte marrë edhe nga organet e Kuvendit nuk i mjaftuan Shehajt që qëndronte në korridorin e sallës së seancave plenare duke detyruar gardën ta nxjerrë me forcë.
Shehaj u përjashtua pasi në seancën e datës 18 qershor, së bashku me deputetin tjetër të Partisë Mundësia Kapri, nuk lejuan zhvillimin normal të seancës, ndërkohë që filmon me celularë.










