1763820858_belindaballukutunelillogarase.jpg

Belinda Balluku ka ankimuar në Apel vendimin e GJKKO për masën e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Balluku është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, ndërsa është nën hetim për shkeljet me tenderin me vlerë 20 mln euro për lotin 4 të Unazës së Madhe.

Përveç Ballukut, masën e sigurisë e ka ankimuar në Apelin e Posaçëm edhe drejtori i KESH Erald Elezi, ndaj të cilit GJKKO ka caktuar masën e arrestit shtëpiak. Ai akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë dhe masa i është caktuar për dy tenderët me vlerë 210 mln euro.

Ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH kur ka qenë tenderi i Llogarasë dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe.

Ndërkohë, masën e sigurisë arrest shtëpie e ka ankimuar edhe kreu i ARRSH, Gentian Gjyli. Ai akuzohet nga SPAK për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe masa e sigurisë i është caktuar vetëm për tunelin e Llogarasë.

Të dy u paraqitën sot në SPAK për të dhënë sqarime në lidhje me akuzat, ku kanë qëndruar disa orë para hetuesve të shoqëruar nga avokatët mbrojtës.


Lajmi kryesor:

Pezullimi i Ballukut, s’ka unanimitet në Kolegjin e Kushtetueses! Ankimi i qeverisë i kalon Mbledhjes së Gjyqtarëve, do vendosin nëse kalon për shqyrtim