Belinda Balluku mund të përsërisë veprën penale për të cilën tashmë është e pandehur dhe të prishë edhe provat dhe si rrjedhojë, nuk mund të qëndrojë në detyrë. Më këtë argument, gjyqtari i posaçëm, Erjon Çela, argumenton caktimin e masës pezullim nga detyra për zv. Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, vendim të cilin Report Tv e ka siguruar.

"Në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve të sipërcituar, duke qenë në ushtrimin e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë", thuhet në vendimin e GJKKO. 

Gjykata argumenton edhe për ndalimin e daljes jashtë shtetit, ku sipas saj ka rrezik për largim, dhe këtë e mbështet në marzhin që parashikon vepra si dënim, nga 1 deri në 5 vjet burg.

"Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve të sipërcituar, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy herë dhe në bashkëpunim"

Për shkak të postit që Balluku dhe 2 vartësit e saj kanë, GJKKO thotë se rreziku për prishjen e provave është i madh, deri në vështirësi të mbledhjes së tyre nga SPAK.

"Ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje. pasi për shkak të detyrës që ushtron e pandehura Belinda Balluku. (aktualisht me funksionet e larta shtetërore, Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës). por dhe të pandehurit e tjerë Gentian Gjyli, (aktualisht me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar), Frald Elezi, (me detyrën e Administratorit të Koorporates Elektroenergjitike Shqiptare SH.A). ekziston mundësia që ata të mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave, në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, kjo nisur nga fakti që organi procedues po verifikon çdo dokumentacion të administruar nga Institucionet", citohet në vendimin e GJKKO. 

Nga e enjtja, Belinda Balluku nuk mund të ushtrojë më asnjë kompetencë si zv. Kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nesër në orë 09.00, zhvillohet seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj saj dhe dy vartësve. 

Me këtë vendim të GJKKO, Balluku është pezulluar nga detyra, pasi është marrë e pandehur për ndërtimin me vlerë 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë dhe dyshohet edhe për tenderin 21 milionë euro të ndërtimit të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Kërkesa u bë nga prokurori Dritan Prençi, dhe pas pranimit nga gjykata, Ballukut i është marrë pasaporta, duke e ndaluar të lëvizë jashtë vendit.

Përveç nr.2 të qeverisë GJKKO  caktoi “arrest në shtëpi” për bashkëpunëtorët, kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezit, drejtor i KESH. Për të dy tenderat, me vlerë totale 210 milionë euro, SPAK thotë se Balluku paracaktoi fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes në vazhdimësi gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:28
Masat ndaj Ballukut, GJKKO: Nuk u pezullua si deputete, por si ministre dhe si zëvendëskryeministre

1763554752_belindaballuku.jpg

Gjykata kundër krimit dhe korrupsionit, GJKKO, ka bërë një arsyetim të thelluar për vendosjen e masave shtrënguese ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas Gazetës Tema, Gjykata pretendon se masa e pezullimit nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë nuk pengohet nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata çmon të theksojë se caktimi i këtyre masave të sigurimit personal nuk e pengojnë të pandehurën Belinda Balluku që të ushtrojë funksionet e saj si deputete e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.

Ora 14:29
Çështja Balluku/ Përveç masave të sigurisë, GJKKO firmosi dhe 28 leje kontrolli banesash, celularësh e laptopësh

1763731841_belindaballuku.jpg

Burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi kanë bërë me dije se përveç masave të sigurisë të shpallura ditën e djeshme për Belinda Ballukun, Gentian Gjylin dhe Erald Elezin, GJKKO ka miratuar dhe 28 leje për kontrolle personale.

Në kontrolle janë përfshirë banesa, dokumente, laptopë e celularë, ndërsa ende nuk dihet se në pronësi të kujt janë ekzaktësisht subjektet e kontrolluara. Këto kontrolle janë zbatuar gjithashtu ditën e djeshme.

Ora 13:13
GJKKO e pezulloi nga detyra, caktohet seanca gjyqësore për Belinda Ballukun dhe vartësit e saj

1763673057_58567406111815874174613844708906907542981988n.jpg

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar ditën e nesërme (22 nëntor) ora 09:00 për zhvillimin e seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të Belinda Ballukut, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit, si dhe për verifikim të masave të sigurisë.

“Përshëndetje të gjithëve!

Ju njoftojmë se pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korruspionin dhe Krimin e Organizuar me datë 22.11.2025, ora 09:00 do të zhvillohet seanca gjyqësore për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit për të pandehurit Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, në kuadër të procedimit penal nr. 136, të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në njoftim.

Belinda Ballukut, iu komunikuan ditën e djeshme dy masat e sigurisë, ‘pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike’ pra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ‘ndalimi i daljes jashtë vendi’. Balluku si ministre akuzohet për veprën penale ‘shkelje e barazisë në tendera’ lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë ndërsa nën hetim është vënë dhe për ndërtimin e Unazës së Madhe, Loti 4.

Ndërkohë për kreun e ARRSH-së Gentian Gjylin dhe drejtorin e KESH Erald Elezi, GJKKO u komunikoi masën ‘arrest shtëpie’. Këto masa janë vendosur me arsyetimin se ekziston rreziku se këta persona mund të prishin provat hetimore.

Ora 10:45
U pezullua nga detyra, debat në komisione për Ballukun! Kaso: Të japë dorëheqjen! Xhafaj: Respektojmë drejtësinë, ju me dy standarde

 

Çështja “Balluku” përplasi palët edhe në komisionet parlamentare. Në atë për “Nismat Qytetare”, PD tha se Balluku është e korruptuar ndaj duhet të japë dorëheqjen, por drejtësia duhet të hetojë edhe Ramën. Replikën ia dha Fatmir Xhafaj që akuzoi PD për mbajtjen e dy standardeve ndaj SPAK.

Kaso: jemi në një situatë të rëndësishme, nr.2 i qeverisë ka masë sigurimi personal, vendimmarrje e rëndësishme që duhet të marrë vëmendjen e duhur, një person kaq i korruptuar nuk jep dorëheqjen, nuk kënaq pritshmërinë e opozitës sepse duhet të merret i pandehur Rama, nuk ka mundësi që një vjedhje e tillë të bëhet pa dijeninë e tij

Xhafaj: jemi këtu për ta mbështetur drejtësinë, pozitive që thoni SPAK, jo SKAP, drejtësia është aty për të bërë punën e vet, edhe pse në disa raste mund të mos na pëlqejë e mund të kemi rezerva, jemi të detyruar ta pranojmë. por ju nuk duhet të luani me dy standarde.

Ora 10:09
U pezullua nga detyra, burime: Rama mund të emërojë zv.kryeministër të ri, Balluku s’do të ketë të drejtë firme! Vendimi i GJKKO do dërgohet në Kushtetuese

1763716295_belindaballuku.jpeg

Pas vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra, Report Tv ka zbuluar edhe lëvizjet që po diskutohen si hapa të mëtejshëm që mund të ndjekë qeveria. 

Burime thonë se Kryeministri Edi Rama mund të emërojë një zv.kryeministër të ri, pa e shkarkuar nga ky pozicion Belinda Ballukun e cila vijon të jetë e pezulluar me vendim të GJKKO-së nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.

Në këtë mënyrë, Balluku nuk do të kishte  të drejtë firme, ndërkohë që vendimi i pezullimit të saj nga ana e Gjykatës së Posaçme do të dërgohet direkt në Gjykatë Kushtetutese.

Me vendim të GJKKO-së Ballukut i është ndaluar edhe dalja jashtë shtetit dhe i është bllokuar pasaporta. Balluku me vartësit akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH.