Gjykata e Tiranës ka lënë fuqi pezullimin nga detyra si kreu i FSHF për Armand Dukën, ndërsa i njëjti vendim është marrë edhe për drejtuesit e tjerë Ilir Shulku, sekretari i përgjithshëm dhe Ardian Haçin, kryetar i Shoqatës Tirana. Pezullimi nga detyra do të jetë në fuqi deri në përfundimin e hetimeve.

Në seancë Duka nuk ishte i pranishëm, teksa avokati i tij, Julian Mërtiri e konsideroi të pakuptimtë masën e sigurisë 'pezullim nga detyra' për të.

"Ende nuk e kuptojmë pse është marrë kjo masë sigurie pasi kallëzimi ka qenë për Shulkun e Haçin, por masa është marrë ndaj Dukës. S'ka asnjë element të veprës penale të falsifikimit. Procesi i zgjedhjeve në Shoqatën Tirana ka qenë transparent dhe kjo është e vërtetuar", ka thënë ai gjatës seancës.

Nga ana tjetër, prokurori Arben Agovi ka kërkuar të mbetet në fuqi pezullimi nga detyra, duke e konsideruar si masë të nevojshme, kërkesë që u pranua nga Gjykata.

Ndërkohë, dy ditë më parë me gjithë vendimin e Gjykatës së Tiranës që pezulloi Asamblenë e Zakonshme Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka mblodhi institucionin që organizon zgjedhjet për kreun e Federatës, proces në të cilin Duka kërkon një mandat të gjashtë. Në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, Duka propozoi shtyrjen e zgjedhjeve për kreun e ri të FSHF-së dhe anëtarët e komitetit ekzekutiv, nga data 2 mars, për në 15 mars. Por me këtë vendim Gjykate, edhe këto zgjedhje janë të pavlefshme.

Gjykata pezulloi nga detyra dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, Ardian Haçin. Arsyeja lidhej me përgatitjet që Duka, Shulku dhe Haçi, po bëjnë për organizimin e Asamblesë së 2 Marsit në kundërshtim të ligjit dhe pesë vendimeve të dhëna nga Gjykata javën e kaluar.

Sipas Prokurorisë, pas hetimeve ka rezultuar se në disa nga dosjet e ekipeve ka një numër më të vogël lojtarësh të federuar krahasuar me atë të deklaruar në sistemin “Comet” sistem i cili është sistemi që merret për bazë në lidhje me gjenerimin e të dhënave zyrtare për numrin aktiv të lojtarëve të federuar.

Më herët Gjykata pezulloi zgjedhjet e 2 marsit deri në shqyrtimin e padive të Shoqatave Rajonale për manipulim të procesit dhe zgjedhjet e mbajtura në Shoqatën e Tiranës, duke njohur si kryetar të Shoqatës, Eduard Prodanin.