Efektivja e policisë Ina Nuka që u plagos gjatë protestës së banorëve të Unazës së Re në 22 nëntor para parlamentit vijon mjekimin e specializuar në Turqi. Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Genti Mullai ka publikuar një foto të efektives në faqen e tij në Facebook, ku thekson se pas 3 operacionesh në Ankara, ku i fundit sot zgjati 7 orë ndihet më e lehtësuar. Efektivja humbi dy gishta, pasi njëri nga protestuesit, Daniel Drobaj i hodhi një kapsollë (lexo këtu).
Statusi i plotë i Genti Mullait
Kolege, ja dole. Shërim të shpejtë dhe sa më parë rikthim në shtëpinë e Policisë, aty ku ëndrra jote do vijojë të realizohet. Besoj se rrjedha e furishme e përditshmërisë, shumllojshmëria e ndodhive, evenimentet dhe hapsira kohore e fashitën sadopak ngjarjen para sallave plenare të Parlamentit të Shqipërisë, ku padrejtësisht e fatëkeqësisht mbeti e gjymtuar një nga koleget tona, e re në moshë dhe në profesion, INA NUKA.
Por pavarësisht gjithë këtyre faktorëve, jemi ne familja më e madhe, Policia e Shtetit që s'të harron, që është krahas familjes tënde dhe njerëzve të tu të dashur, është vëmëndja dhe përkushtimi i Ministrit dhe Kryeministrit që bënë të mundur që Ti kolege, pas 3 operacionesh në Ankara të Turqisë, ku sot operacioni zgjati 7 orë në këto momente të ndihesh më e lehtësuar nga ajo dhimbje vrastare, nga ajo ngjarje e shëmtuar, kur përveçse bëje detyrën s'kishe asnjë faj tjetër që duhet të gjymtoheshe kështu, sa të rrezikuan seriozisht edhe jetën.
Por kjo është detyra jonë, plot sakrifica, vështirësi, rreziqe deri në sublime. Këto e bëjnë edhe më të bukur misionin tonë, i japin kuptimin dhe vlerën e duhur në sytë e qytetarëve të ndershëm që duan ligjin, rendin dhe qetësinë për të jetuar në harmoni me këto parime.
U bërë lajm i ditës, kryetitull i gazetave, bisedë e tavolinave, bisedë e vatrave familjare, statuseve në fb, pastaj pre e sulmeve me qëllime, jo është e jo s'është plagosur, jo je e trajnuar apo je e paaftë, e plot të tilla.
Por ti INA mbi të gjitha, u shëndrove në një motiv për të gjitha koleget dhe kolegët, për të bërë detyrën akoma më mirë, më me profesionalizëm, më me përkushtim, më me humanizëm ndaj qytetarëve dhe më me ashpërsi përballë paligjshmërisë dhe krimit dhe sulmeve dashakeqje.Ne familja jote e madhe, të urojmë shërim të shpejtë dhe sa më parë në krye të detyrës.
Urime, te shkuara!
Përgjigju