TIRANE-Mesditën e sotme Orges Bilbilit i është komunikuar masa e sigurisë arrest me burg në spitalin e Traumës ku ndodhet i shtruar. Ai akuzohet për dy vepra penale 'vrasje e punonjësit të policisë mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje'. Gjyqtari Kujtim Vranici pranoi kërkesën e prokurorit Petrit Hysi për ta lënë në arrest me burg pa afat, raporton gazetari i Report Tv Merin Maçi. Avokati i të arrestuarit i caktuar kryesisht Erjon Kullolli tha se Bilbili nuk pranoi që të flasë, ndërsa shtoi se gjendja e tij nuk ishte optimale. Gjithashtu ai tha se pret që të shikojë pamjet mbi akuzat. 

"Dyshohet për dy vepra penale. Nuk ndodhet në gjendje të mirë, nuk u shpreh, mbajti një qëndrim neutral. Në momentet e para duke qenë se edhe gjendja e tij nuk ishte optimale nuk u shpreh. Prokuroria kishte fakte ku bazohet dyshimi, unë si avokat mendoj se nuk ekziston dyshimi që të akuzohet për atë vepër penale. Të dhënat do të sqarohen gjatë hetimet, pasi nuk kemi pamje" tha ai. Por sipas mjekëve gjendja e Bilbilit paraqitet e stabilizuar pas plumbit që mori në kofshë, pasi nuk iu bind urdhrit të policit për të ndaluar. Report Tv solli pamjet e momentit kur prokurori dhe gjyqtari futen në ambientet e spitalit të Traumës me maska dhe doreza.

Pjesatarët e trupës Gjyqësore sot te Spitali i Traumës

Si u arrestua dy ditë më parë Orges Bilbili
Pas më shumë se dy vite në kërkim për atentate, vrasje e ngjarje të tjera kriminale, Orges Bilbili u arrestua në një kohë kur vendi është në shtetrrethim. Ai lëvizte nëpër Tiranë lirshëm e ndër të tjera me armë me vete. Ai u spikat në rrugë nga një efektiv i forcave Shqiponja në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ku pasi efektivi i kërkoi kartën e identitetit, Bilbili nxori armën nga çanta dhe në një moment pasi ka vrapuar dhe është ndjekur nga efektivi, i ka nxjerrë armën duke i thënë të largohet ose ndryshe do ta qëllojë.

Efektivi e mori situatën në dorë ku ka mundur që pas një të shtëne në ajër dhe në kushtet kur Orges Bilbili nuk po dorëzohej, e ka plagosur në këmbë. Nga kjo ngjarje, u plagos në këmbë edhe një qytetare këmbësore e rastësishme me inicialet M.P, e cila së bashku me Bilbilin, ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës. Report Tv mësoi dje se nga hetimet ka rezultuar se prej disa muajve Bilbili jetonte me qira në zonën e Xhamllikut  ndërsa hyrja ishte marrë në emër të një personi tjetër me inicialet A.K. i cili është shpallur në kërkim.

Kush eshte Orges Bilbili
Në tetor 2019, Orges Bilbili së bashku me Lart Haxhiun, vranë Besmir Hidën 40 vjeç, baba i dy fëmijëve, i cili u ekzekutua në qendër të qytetit të Lushnjes teksa ishte duke pirë kafen në katin e dytë të një lokali. Po ashtu ai është i përfshirë edhe për ngjarjen e 11 shtatorit 2017 pranë policisë së Lushnjes ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi.

Bilbili njihet si bashkëpunëtori i Laert Haxhiut në vrasjet e Lushnjes në 2017, rezulton se është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për trafikim lëndësh narkotike. Bashkë me Haxhiun, Orges Bilbili është i dyshuar edhe për atentatin, ku u plagosën Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili, ndërsa ka qenë i përfshirë edhe në dosjen e pilotit italian të drogës Giorgo Riformato.

Orges Bilbili