TIRANË - Pas më shumë se dy vite në kërkim për atentate, vrasje e ngjarje të tjera kriminale, është arrestuar në një ngjarje të pazakontë në vendin tonë, i shumë kërkuari Orges Bilbili. Në këtë kohë karantine, kur vendi është në shtetrrethim, Bilbili, konsideruar person me rrezikshmëri të lartë kriminale, lëvizte nëpër Tiranë lirshëm e ndër të tjera me armë me vete. Ai u spikat në rrugë nga një efektiv i forcave Shqiponja në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ku pasi efektivi i kërkoi kartën e identitetit, Bilbili ka nxjerrë armën nga çanta dhe në një moment pasi ka vrapuar dhe është ndjekur nga efektivi, i ka nxjerrë armën duke i thënë të largohet ose ndryshe do ta qëllojë. Efektivi e ka marrë situatën në dorë ku ka mundur që pas një të shtëne në ajër dhe në kushtet kur Orges Bilbili nuk po dorëzohej, e ka plagosur në këmbë.

Nga kjo ngjarje, u plagos në këmbë edhe një qytetare këmbësore e rastësishme me inicialet M.P, e cila së bashku me Bilbilin, ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës. Drejtori i Policisë së Tiranës, tha se efektivi veproi duke zbatuar detyrën, megjithatë ai ndodhet në drejtorinë e Policisë së Tiranës për të gjitha veprimet procedurale. Ai ka kundërshtuar punonjësin e patrullës shigjeta duke mos i dhënë ID çka do ta identifikonte si person në kërkim. Këtu lindën edhe dyshimet e efektivit.  I pyetur nga polici për arsyen e lëvizjes ai ka dhënë në emër të rremë duke thënë se kishte autorizim, por kur i është kërkuar karta identitetit ai ka nxjerr armën.

Në tetor 2019, Orges Bilbili së bashku me Lart Haxhiun, vranë Besmir Hidën 40 vjeç, baba i dy fëmijëve, i cili u ekzekutua në qendër të qytetit të Lushnjes teksa ishte duke pirë kafen në katin e dytë të një lokali.

Po ashtu ai është i përfshirë edhe për ngjarjen e 11 shtatorit 2017 pranë policisë së Lushnjes ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi. Bilbili njihet si bashkëpunëtori i Laert Haxhiut në vrasjet e Lushnjes në 2017, rezulton se është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për trafikim lëndësh narkotike.

Bashkë me Haxhiun, Orges Bilbili është i dyshuar edhe për atentatin, ku u plagosën Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili, ndërsa ka qenë i përfshirë edhe në dosjen e pilotit italian të drogës Giorgo Riformato.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:58
Shoku iu plagos, policia në kërkim të Laert Haxhiut, rrethon pallatin te Xhamlliku (Detaje)

Kur kanë kaluar më shumë se 6 orë nga ngjarja te zona e Xhamllikut, forca të shumta të policisë së Tiranës deri paditen e sotme rrethuan zonën ku ndodhi plagosja, por edhe pallatin përballë shkollës Nike Dardan. Gazetari i Report Tv Merin Maçi raporton se kontrollet janë kryer në disa apartamente ky dyshohej se fshihej Orges Bilbili, por edhe bashkëpunëtori i tij në disa ngjarje kriminale gjithashtu i shpallur në kërkim Laert Haxhiu. Report Tv mëson se deri tani nga verifikimet dhe kontrollet e ushtruara janë gjetur vetëm disa prova materiale.
1586534317_POLICI.jpg

Ora 14:37
Zbardhet dëshmia e policit që plagosi Orges Bilbilin: Kapuçi në kohë me diell dhe dora në çantë më bën të dyshoja

1586522473_12.jpg

Gazetari i Report Tv, Merin Maçi ka zbardhur dëshminë e policit që plagosi Orges Bilbilin. Mësohet se në dëshminë e dhënë nga vetë efektivi përpara grupit hetimor, ai ka treguar se dyshimet kanë lindur nga veshja e Orges Bilbilit me kostum sportiv dhe me kapuç në një kohë me diell si dhe mbajtja e dorës në brendësi të çantës gjatë gjithë kohës çka e detyroi policin t'i kërkonte atij të ndalonte për të treguar kartën e ID.

Ora 13:45
Policia e Shtetit: Orges Bilbili me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ngrihet grupi hetimor

Policia e Shtetit ka dhënë njoftimin zyrtar për plagosjen nga një efektiv i forcave Shqiponja të Orges Bilbilit, të kërkuar për vrasje. Sipas policisë, në Tiranë në rrugën " Sitki Çiço", në afërsi të një shkolle, punonjësi i Policisë së forcës së posaçme "Shqiponjat", i ka kërkuar një personi lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit.

"Personi që rezultoi të ishte Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes.

Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjecari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë.

Punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por Orgest Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë.

Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë.

Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar  në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë.

Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit.

Nga verifikimet e bëra rezulton se Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës.

Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”.

Aktualisht ai është arrestuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tirane, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes.

Policia e Shtetit i uron shërim të shpejtë kalimtares M. P. dhe garanton opinion publik se është e vendosur të përballet me cilindo që shkel ligjin e aq më tepër guxon të godasë punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të vijojnë të zbatojnë rregullat dhe t’i binden urdhrit të punonjësit të Policisë, duke kontribuuar të gjithë së bashku për parandalimin e përhapjes së COVID-19 , si dhe në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët", sqaroi policia.

Ora 12:35
Momenti kur efektivi i Shqiponjave plagos të kërkuarin për vrasje, i shtrirë me armën në tokë

Këto janë momentet kur Orges Bilbili është plagosur nga efektivi i Shqiponjave pasi e plagosi në këmbë. Në tokë është edhe arma që Bilbili kishte me vete, me të cilën kërcënoi policin.

Ora 12:33
Personi që kërcënoi me armë policin, Orges Bilbili i kërkuar për vrasje

1586514912_bilbili.jpeg

Personi qe i nxorri armën dhe kërcënoi të qëllojë efektivin e forcave Shqiponja, është Orgest Bilbili, person në kërkim për vrasje në Lushnje. 

Në tetor 2019, së bashku me me Lart Haxhiun, vranë Besmir Hidën 40 vjeç, baba i dy fëmijëve, i cili u ekzekutua në qendër të qytetit të Lushnjes teksa ishte duke pirë kafen në katin e dytë të një lokali.

Ora 12:10
Ngjarje e rëndë në Tiranë, qytetari i nxjerr armën policit, efektivi i Shqiponjave e qëllon në këmbë...Plagoset edhe një këmbësore

Një ngjarje e rëndë është shënuar gjatë ditës së sotme në Tiranë. Një qytetar nuk i është bindur urdhrit të policisë për të nxjerrë dokumentin identifikues, ku në ndjekje e sipër ka nxjerrë armën nga një çantë duke kërcënuar me jetë një efektiv të forcave Shqiponja. Në një komunikim për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi, tha se efektivi është detyruar të qëllojë ndaj personit të dyshuar, duke e lënë të plagosur, ndërkohë që një plumb rastësor mori edhe një qytetare që  ndodhej pranë zonës. Të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë. Jaupi tha se personi në fjalë dyshohet të jetë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, por pritet t'i merren gjurmët e gishtërinjve për të faktuar dyshimet e tyre, që aktualisht siç ai tha lidhen me një person në kërkim.

"Një punonjës policie i cili kërkon dokumentet e identifikimit një qytetari, nuk i është përgjigjur. Në momentin që i ka kërkuar çfarë keni në çantë, qytetari është larguar me vrap në drejtimin pas nesh, punonjësi i policisë e ka ndjekur, dhe sapo kalon kthesën e parë qytetari i ka drejtuar armën punonjësit të policisë, ai e ka paralajmëruar ulni armën se do iu qëlloj dhe ka qëlluar një herë në ajër. Qytetari ka lëvizur me vrap, dhe në kohën që punonjësi i policisë e paralajmëron përsëri të ulë armën të dorëzohet, ai ka drejtuar armën dhe i ka thënë policit po të qëlloj nëse nuk largoheshin. Punonjësi ka qëlluar në drejtim të tij dhe e ka plagosur, aktualisht ndodhet në spital, është plagosur në këmbë, por akoma nuk kemi një informacion të saktë në afërsi të kësaj skene ka qenë një qytetare që edhe ajo ka marrë një plumb në këmbë, nga punonjësi i policisë. nuk e kemi identifikuar akoma por dyshimet janë se kemi të bëjmë me një të rrezikshëm të shpallur në kërkim. do ju japim informacion sapo ti marrim gjurmët. Punonjësi i policisë është me përvojë i ekipit shqiponjave ishte i vetëm, dhe ka vepruar në bazë të procedurave standardë të punës, ne kemi ngritur grupin e punës për identitetin e personit që pak a shumë kemi një emër por do jua bëjmë me dijë me vonë. Momentalisht janë jashtë rrezikut të dy, në spitalin e traumës po punojnë mjekët. Efektivi nuk është qëlluar, është në drejtorinë e policisë Tiranë për veprimet procedurale", tha drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi.